LeBron James zbulon frymëzimin prapa librit të tij për fëmijë

  • S.A /
  • 04 August 2020 - 12:04
LeBron James zbulon frymëzimin prapa librit të tij për fëmijë

Ylli i NBA dhe Los Angeles Lakers, LeBron James, do ta shtojë edhe titullin “autor i librave për fëmijë” në CV-në e tij, pasi ka zbuluar se së shpejti do ta publikojë një libër të titulluar “Unë Premtoj” (Origjinali: I Promise)

Ky libër është i frymëzuar nga puna e shoqatës bamirëse të themeluar nga LeBron James në vendlindjen e tij, në Akron të Ohios, ku ai e ka nisur programin I Promise dhe e ka hapur një shkollë për fëmijë, të quajtur I Promise.

Libri i James, i cili do të jetë i ilustruar nga artistja Nina Mata, do të publikohet më 11 gusht, ndërsa do të ndiqet më vonë edhe nga një libër tjetër, pasi James ka marrëveshje për publikimin e një novele vitin e ardhshëm.

“Librat e kanë aftësinë për t’i mësuar, frymëzuar dhe bashkuar njerëzit. Për këtë arsye këta libra kanë kaq shumë domethënie për mua, pasi që ofrojnë mundësinë që fëmijët dhe prindërit të lexojnë së bashku”, ka thënë James.

“Ajo që ka më së shumti rëndësi, ne dëshironim të sigurohemi se këto histori janë të atilla që çdo fëmijë ta gjejë veten në to. Ky libër është i fuqishëm në këtë aspekt dhe unë mezi po pres ta lexojnë njerëzit”.

Libri është i bazuar në vlerat e theksuara edhe në programin I Promise të LeBronit, që e ka në qendër idenë se “sukseset e së nesërmes nisin me premtimet që ia bëjmë vetes dhe komunitetit tonë sot”.

Ndër mesazhet që jepen në këtë libër të yllit të NBA janë: “Unë premtoj se do ta përdor zërin dhe do të ngrihem në këmbë për gjërat e duhura”, “Unë premtoj se do të kërkoj ndihmë kurdo që të kem nevojë”, “Unë premtoj të jem vetvetja”.

(Kosova Sot Online )