Baftiu kërkohet edhe në Austri, vazhdon gara për transferimin e tij

  • S.A /
  • 04 August 2020 - 12:39
Baftiu kërkohet edhe në Austri, vazhdon gara për transferimin e tij

Pas interesimit nga dy gjigantet turke, Galatasaray dhe Besiktas, për transferimin e Blend Baftiut nga Ballkani tani raportohet se është futur në garë edhe klubi austriak Rapid Wien.

Blend Baftiu ishte lojtari kryesor në skuadrën e Ballkanit që befasoi tifozët e futbollit kosovar këtë sezon me formën mbresëlënëse dhe luftën për titull deri në javën e parafundit të sezonit.

Baftiu – i cili luajti për Kombëtaren e Kosovës në miqësoren kundër Suedisë në janar – e fitoi Këpucën e Artë të Superligës së Kosovës, pasi i shënoi 19 gola në 31 ndeshje të zhvilluara.

Paraqitjet e Baftiut këtë sezon, jo vetëm golat, kanë bërë që Galatasaray dhe Besiktas të interesohen për 22-vjeçarin, ndërsa gazeta turke Takvim raportoi javën e kaluar se Galatasaray po e bën gati ofertën zyrtare për Ballkanin.

Megjithatë, gara për sigurimin e shërbimeve të Baftiu nuk do të jetë e lehtë për klubet turke, pasi që tani mediumi austriak Heute shkruan se për Baftiun është interesuar edhe Rapid Wien.

(Kosova Sot Online )