Casemiro: Bale, ende i rëndësishëm në Real Madrid

  • E.K /
  • 05 August 2020 - 11:36
Casemiro: Bale, ende i rëndësishëm në Real Madrid

Mesfushori i Real Madridit, Casemiro, ka insistuar se sulmuesi anësor Gareth Bale është ende shumë i rëndësishëm në Los Blancos dhe se uellsiani është në mesin e top tre lojtarëve më të mirë në botë kur e gjen formën e tij të mirë.

Gareth Bale ishte përfolur për një largim nga Stamford Bridge gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, pasi klubi kinez Jiangsu Suning ishte përfolur si destinacioni i tij më i mundshëm mes interesimit edhe nga disa klube të Premierligës.

Klubi i Superligës kineze raportohet se i kishte bërë ofertë tunduese Bale, i cili ishte i gatshëm ta pranonte atë. Megjithatë, Real Madridi e bllokoi atë marrëveshje në fund.

Zinedine Zidane insistoi se 31-vjeçari mbetet ende pjesë e rëndësishme e planeve të tij për Real Madridin, përkundër transferimeve të Luka Jovicit dhe Eden Hazardit nga Eintracht Frankfurti dhe Chelsea.

Por, Bale s’ka arritur të gjejë vend në formacionin e Real Madridit, duke i bërë vetëm 20 paraqitje në të gjitha garat gjatë këtij sezoni. Bale ka qenë më i përfolur për sjelljet e tij në stol, teksa tallej. Por, Casemiro beson se uellsiani është ende i rëndësishëm për klubin madrilen.

“Ai po punon, e di se nuk është periudha më e mirë në karrierën e tij, por ai e ka mbështetjen tonë, të trajnerit dhe të klubit”, ka thënë braziliani.

“Ai është shumë i rëndësishëm për ne, mund të të befasojë në çdo moment dhe tashmë e ka dëshmuar këtë. Ai është një lojtar vendimtar që shënon gola në finale të Ligës së Kampionëve”.

“Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të themi që ai nuk është në momentin e tij më të mirë, por kur është, ai është i jashtëzakonshëm dhe në mesin e top tre lojtarëve në botë. Unë kam shumë dashuri për të dhe për këtë arsye tentoj të kujdesem për të sa më shumë që tentoj”.

(Kosova Sot Online)