Casemiro: Ende shqetësohem kur flas me Zidanin

  • S.A /
  • 06 August 2020 - 10:13
Casemiro: Ende shqetësohem kur flas me Zidanin

Mesfushori i Real Madridit, Casemiro, e ka pranuar se ai ende shqetësohet kur flet me trajnerin e tij, Zinedine Zidane.

28-vjeçari iu bashkua skuadrës së Real Madridit në vitin 2013 dhe e ka fituar një rol kyç në skuadrën e Zinedine Zidane gjatë sezoneve të fundit.

Pasi ishte rritur duke e shikuar Zizou-n duke luajtur futboll, Casemiro ka zbuluar se ende shqetësohet kur i bie të flasë me legjendën e futbollit.

“Edhe tani shqetësohem teksa flas me të. I them atij se ai nuk mund ta kuptojë se çfarë rëndësie kishte ai për ne, për mua”, ka thënë Casemiro, në një intervistë të dhënë për The Guardian.

“Unë i them atij se na i mori trofeun e Kupës së Botës në vitin 1998, por se ajo s’ndryshoi asgjë. Tani që e njoh atë, mendoj se e kishte merituar. Ai është i mrekullueshëm, është modest. Ai na trajton me shumë dashuri dhe dhembshuri”.

“Ai është gjithashtu edhe shumë insistues. Gjithmonë thotë: “Case, ti mund të bësh më shumë, eja nga prapa, gjuaja topin mesfushorëve, fitojë topin pastër”. Ai më thotë se s’po më kërkon të bëj diçka që s’mundem dhe më beson shumë”.

(Kosova Sot Online )