Thaçi kujton Lojërat Olimpike, tregon protestën nga presidenti i Serbisë

  • S.A /
  • 07 August 2020 - 12:59
Thaçi kujton Lojërat Olimpike, tregon protestën nga presidenti i Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Rio 2016 në përvjetorin e katërt të medaljes së artë të Majlinda Kelmendit. Thaçi e ka theksuar protestën e bërë nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Tomislav Nikolic.

Më 7 gusht të vitit 2016, Majlinda Kelmendi shkoi histori në Kosovë duke e fituar medaljen e parë të artë të vendit në debutimin në Lojërat Olimpike, duke bërë kështu që Kosova të jetë në mesin e 106 shteteve të botës që kanë të paktën një medalje të artë në koleksionin e tyre.

Pak ditë më parë, Thaçi kishte qenë pjesëmarrës në ceremoninë hapëse, ku Kosova parakaloi për herë të parë në histori. Kjo e kishte lënë të pakënaqur presidentin e atëhershëm të Serbisë, Nikolic, që, siç tregon Thaçi, i kishte braktisur tribunat.

“Besoj çdo kush në botë do të ketë dëgjuar ose shikuar, siç më kishte ndodhur mua si fëmijë, për stadiumin “Marakana” në Rio. Aty ku shkëlqenin me krenari yjet e futbollit brazilian, Pelle, Ronaldo, etj”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

“Saktësisht katër vjet më parë, si president i shtetit më të ri në botë u gjenda në tribunat e këtij gjigandi sportiv. Ëndrra kosovare po bëhej realitet. Ekipi sportiv i Kosovës po parakalonte me flamurin e ngritur lart”.

“Presidenti i Serbisë në shenjë proteste braktisi tribunat. Derisa ekipi ynë hidhte hapat e parë në historinë e lojërave olimpike botërore isha plotë emocion dhe krenari. Edhe sot dhe përgjithmonë i kujtoj ato ditë të veçanta betejash të Majlindës”.

Ishte mbresëlënës talenti dhe besimi në fitore. Fitorja e Medaljes së Artë nga Majlinda në Rio 2016, shënoi suksesin emblematik për sportin kosovar në arenën botërore. Këtë e bëjnë njerëz të veçantë, të punës dhe besimit në sukses. Krenar me ju!”.

“Majlindë ty dhe Dritonin ka kohë që nuk iu kam takuar. Pres me padurim të flasim për dëshpërimin e Londrës 2012, lotët e gëzimit dhe krenarisë në Rio 2016 dhe planet tuaja të ardhshme për sukseset e reja”.

(Kosova Sot Online )