“Ronaldo u pajtua të lërë Unitedin për Valencian në vitin 2006”

  • A.P /
  • 07 August 2020 - 19:28
“Ronaldo u pajtua të lërë Unitedin për Valencian në vitin 2006”

Transferimi që kurrë nuk ndodhi.

Në verën e vitit 2006, Cristiano Ronaldo kishte pranuar të lërë Manchester Unitedin, për t’u transferuar në Spanjë, por jo te Real Madrid – Valencia ishte destinacioni i mundshëm i CR7.

Këtë e ka konfirmuar ish-drejtori sportiv i klubit, Amedeo Carboni.

Ronaldo kishte pranuar të largohet për shkak të incidentit që kishte ndodhur me Wayne Rooney në Kupën e Botës në vitin 2006, në sfidën Portugali-Angli.

Ai ishte lodhur me reagimet e shumta të anglezëve saqë kishte menduar për një ndryshim në karrierë, madje për një klub shumë më të vogël se Man United.

Ai tha në korrik 2006: “Unë mendoj se duhet të largohem nga Manchester”.

“Rrethanat nuk janë të përshtatshme për të vazhduar të luajë në Manchester. Në dy ose tre ditë do të vendos se ku të shkoj”.

“Gjithmonë kam thënë se do të doja të luaja në Spanjë”.

“Askush nuk u ngrit në këmbë për mua në Manchester, megjithëse nuk i bëra dëm askujt”.

Këto deklarata kishin shtyrë Valencian të bëjë menjëherë lëvizje.

“Kam mbërritur në kohën e duhur, Valencia ishte qyteti që do të përfitonte më shumë në aspektin ekonomik, social dhe sportiv”, i tha Carboni “Il Ilpecios” për rolin që ai luajti në përpjekjen për të joshur pesë herë fituesin e Topit të Artë.

“Ne i kishim gjetur burimet financiare për ta marrë atë, kishim bërë marrëveshje me Nike dhe Coca Cola – sponsorët e lojtarit”.

“Ronaldo në atë kohë tashmë po fitonte 10 milion neto në vit, shumë për një klub si Valencia”.

“Pastaj arritëm në fazën kur Cristiano kishte debatuar me Manchester United. Në 2006-07 Valencia po përjetonte një ‘bum’ dhe unë e kisha ‘po’ e tij për të nënshkruar”.

Ai ndër të tjera tha se kishin arritur shumë larg madje edhe me kontratën për portugezin, por në fund asgjë nuk u konkretizua dhe CR7 qëndroi në ‘Old Trafford’ deri në vitin 2009, kur u transferua në Real Madrid. 

(Kosova Sot Online)