Shkon në 18 numri i viktimave të aeroplanit të rrëzuar në Indi

  • S.A /
  • 08 August 2020 - 09:04
Shkon në 18 numri i viktimave të aeroplanit të rrëzuar në Indi

Një zyrtar i lartë i qeverisë indiane njoftoi të shtunën se ka shkuar në 18 numri i viktimave nga rrëzimi i një aeroplani të udhëtarëve në Kerala, ndërsa 16 pasagjerë kanë pësuar lëndime të rënda.

Aeroplani i kompanisë “Air India Express”, me të cilin po riatdhesoheshin indianët e bllokuar në Dubai për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk arriti të ndalej në pistën e aeroportit Calicut për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.

Ky ishte aksidenti më i rëndë ajror që ka ndodhur në Indi që nga viti 2010. Në aeroplanin e rrëzuar ndodheshin gjithsej 190 persona, shkruan Reuters.

Një zyrtar i lartë i rajonit Kerala tha se në aksident kanë mbetur të vdekur piloti dhe ndihmësi i tij, ndërsa të gjithë pasagjerët e lënduar janë dërguar në spitale të ndryshme, ku gjithashtu po testohen për Covid-19.

Ministri i Aviacionit Civil, Hardeep Sing Puri, tha se autoritetet ia dolën ta shpëtonin shumicën e pasagjerëve për shkak se aeroplani nuk mori zjarr.

Në vitin 2010, një aeroplan tjetër i po kësaj kompanie kishe dalë nga pista në Mangalore dhe kishte rrëshqitur poshtë një kodre, duke lënë të vdekur 158 persona.

(Kosova Sot Online )