Mancini e quan Pirlon me fat: Po e nis karrierën me ekipin më të mirë

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 10:52
Mancini e quan Pirlon me fat: Po e nis karrierën me ekipin më të mirë

Trajneri i ekipit kombëtar të Italisë, Roberto Mancini, e ka quajtur trajnerin e ri të Juventusit, Andrea Pirlon, me fat që po e nis karrierën me një klub si ai i bardhezinjve, përkundër që shtoi se klubi ka marrë vendimin e duhur.

Legjenda italiane e futbollit u pensionua nga karriera e tij mbresëlënëse në vitin 2017 dhe së fundi e bëri hapin e parë në karrierën si trajner, duke e marrë drejtimin e ekipit U-23 të Juventusit.

Por, vetëm pak ditë më vonë, Pirlo, që i kishte fituar katër tituj të Serisë A radhazi me Juventusin, u emërua zëvendësuesi i Maurizio Sarrit, i cili u shkarkua pas eliminimit nga Liga e Kampionëve kundër Lyonit.

Kjo do të jetë hera e parë që Pirlo do ta provojë veten në karrigen e trajnerit. Përderisa Mancini thotë se Pirlo është me fat që e ka marrë një punë të profilit kaq të lartë qysh në fillim të karrierës, ai mendon se strategu i ri i përshtatet punës së tij të re.

“Pirlo është me fat. Ai po e nis karrierën në nivelin më të lartë të mundshëm dhe me ekipin më të mirë. Ndoshta as unë nuk e nisa karrierën me ndonjë klub të nivelit të ulët, por debutova me Fiorentinën e jo me Juventusin”, ka thënë Mancini.

“Por, t’i lëmë shakatë anash, edhe unë do ta kisha shikuar Andrean. Ai ka njohuri të mrekullueshme për futbollin, njëjtë si Daniele De Rossi. Do të më kishte pëlqyer të punoja me të”.

“Ka gjithmonë një herë të parë. Andrea po e nis një rrugëtim të ri. Le ta ndjekim atë! I uroj fat”.

(Kosova Sot Online )