Messi stërvitet, shuan dyshimet për ndeshjen kundër Bayernit

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 15:19
Messi stërvitet, shuan dyshimet për ndeshjen kundër Bayernit

Lionel Messi do të jetë në dispozicion për trajnerin Quique Setien të premten, për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut, pasi që argjentinasi u stërvitur me lojtarët e tjerë të Barcelonës, pa asnjë problem, të martën.

Kapiteni i Barcelonës e pësoi një goditje të rëndë nga qendërmbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly. Ajo ndërhyrje e kishte lënë argjentinas të shtrirë për disa minuta të shtunën, në fushën e Camp Nou, ku po zhvillohej ndeshja kthyese e fazës së 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Edhe pse fillimisht kishte pasur disa dyshime se a do të mundet Messi të luajë në ndeshjen kundër Bayernit, shkaku i ndonjë lëndimi që mund ta kishte pësuar nga ajo përballje, Messi e kishte vazhduar ndeshjen deri në fund, duke i shuar kështu shqetësimet e tifozëve.

Megjithatë, trajneri Setien dhe tifozët e klubit katalonas u siguruan edhe një herë për gatishmërinë e Messit, pasi që ai u stërvit në mënyrë të rregullt të martën.

33-vjeçari shkoi në kampin stërvitor të klubit të hënën për të marrë trajtim mjekësor për kyçin e këmbës, përkundër që ekipi i parë e kishte ditën pushim.

Të martën, lojtarët dolën të gjithë negativë në testet e detyrueshme nga UEFA për Covid-19 para udhëtimit në Lisbonë.

Kur skuadra katalonase të arrijë në kryeqytetin portugez, lojtarët do të testohet edhe një herë para ndeshjes kundër Bayernit.

(Kosova Sot Online )