Tifozi i Unitedit akuzohet se e pamundësoi transferimin e Sanchos me vallëzimin e tij

  • S.A /
  • 12 August 2020 - 10:55
Tifozi i Unitedit akuzohet se e pamundësoi transferimin e Sanchos me vallëzimin e tij

Një tifoz i Manchester Unitedit është bërë cak i talljeve në rrjete sociale për vallëzimin e tij gjatë një lidhjeje me yllin e Dortmundit, Jadon Sanchon, në Instagram. Ai po akuzohet, në formë tallëse, se vallëzimi i tij i uli gjasat e transferimit të Sanchos në Old Trafford.

Jadon Sancho është bërë prioriteti numër një për trajnerin Ole Gunnar Solskjaer këtë verë, pasi që Manchester Unitedi dhe Borussia Dortmundi kanë qenë duke e negociuar të ardhmen e tij gjatë javëve të fundit

Megjithatë, Dortmundi e caktoi datën 10 gusht si afatin e fundit për Manchester Unitedin për ta kompletuar transferimin e 20-vjeçarit, pasi që gjiganti gjerman më këtë datë e nisi kampin parasezonal në Zvicër.

Sancho ishte pjesë e skuadrës së Lucien Favre që udhëtoi drejt Zvicrës për përgatitjet parasezonale dhe pasi marrëveshja mes dy klubeve nuk u arrit, drejtori sportiv Michael Zorc sugjeroi të hënën se shpresat e Unitedit për transferimin e Sanchos kanë marrë fund.

Pas këtyre lajmeve që po hedhin dyshime mbi gjasat e kalimit të Sanchos në Old Trafford, një tifoz i Manchester Unitedit është bërë viral për një vallëzim që e kishte bërë në një lidhje me Sanchon në Instagram dhe që tani po thuhet, si tallje, se aty u kuptua që ky transferim s’ka shumë gjasa të realizohet.

Megjithatë, media të shumta britanike raportojnë se Manchester Unitedi nuk do të dorëzohet për transferimin e talentit anglez, përkundër që është i irrituar me ngadalësinë me të cilën po shkojnë negociatat, që, sipas kërkesës së Dortmundit, po menaxhohen nga një agjent i pavarur.

Edhe Sancho raportohet të jetë i interesuar për një transferim në Old Trafford dhe mediumet e mëdha evropiane raportojnë se për transferimin e tij nuk është pengesë marrëveshja mes lojtarit dhe Djajve të Kuq, por vetëm mes këtyre të fundit dhe klubit gjerman.

(Kosova Sot Online )