Ballkani synon t’i nisë garat edhe me ekipin “B”

  • S.A /
  • 12 August 2020 - 11:56
Ballkani synon t’i nisë garat edhe me ekipin “B”

Ballkani është në proces e sipër të krijimit të ekipit të dytë, i cili do të garojë në nivelet më të ulëta të futbollit kosovar. Klubi nga Theranda ka njoftuar se ka bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovës për t’ia dhënë lejen e formimit të ekipit “Ballkani B”.

Ideja është që lojtarët që nuk kanë mundësinë dhe hapësira të luajnë në ekipin A të Ballkanit, të mund të paraqiten në atë B.

Kjo praktikë nuk është përdorur ndonjëherë në futbollin kosovar, por që në vendet tjera të Evropës është diçka e zakonshme.

Në ekipin B përkohësisht luajnë ose ushtrojnë edhe yjet e ekipit A, pasi të rikthehen nga lëndimi.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e klubit Portokalli:

“Njoftim: Nga edicioni 2020/2021 pritet që klubi jonë të filloj gara edhe me ekipën FC “Ballkani B”

Rregullat e futbollit e kanë përcaktuar se 11 futbollist të jenë startues, 7 të tjerë të presin inkuadrimin eventual nga pankina rezerv, për t’i lëvizur këto limite duke kontribuar drejtëpërdrejt në parimin e gjithëpërfshirjes, FC Ballkani ka dorëzuar kërkesen pran organit kompetent FFK-së për krijimin e ekipës së dytë me emërtim FC “Ballkani B”.

Duke e parë trendin e rritjes së interesimit ndaj klubit tonë, jemi të vërshuar nga kërkesat e futbollistëve që të bëhen pjesë e FC Ballkani, kjo në bënë të ndihemi të vlerësuar për punen që jemi duke e bërë.

Andaj, për të shtuar konkurrencë dhe për t’iu ofruar të gjithëve mundësi e afirmimit kemi vendosur që të krijojmë ekipën B ku shumë futbollist do të kenë mundësinë e trajtimit ashtu siç klubi dëshiron, pra afer syrit të stafit teknik i cili me lehtësi do të jetë në gjendje të përcjell ecurinë dhe zhvillimin e futbollistëve tanë. S’bashku na priftë e mbara. Sinqerisht, FC Ballkani”, njofton klubi nga Suhareka.

(Kosova Sot Online )