Tuchel: E dija se po ta shënonim të parën, do ta shënonim edhe të dytën
Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, ka thënë se ai ishte i sigurt që skuadra e tij do ta shënonte edhe golin e fitores të mërkurën kundër Atalantas, sapo u shënua goli i barazimit.
Paris Saint-Germaini ishte duke pësuar disfatë me rezultat 1:0 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve deri afër fundit, shkaku i golit të shënuar nga Mario Pasalic i Atalantas në pjesën e parë.
Megjithatë, djemtë e Tuchel arritën ta përmbysin rezultatin e ndeshjes në mënyrë dramatike, brenda tre minutave lojë. Marquinhos e shënoi golin e barazimit në minutën e 90-të, ndërsa Eric Maxim Choupo-Moting i kaloi parisienët në epërsi në minutën e 93-të.
Duke folur për RMC Sport pas ndeshjes, Tuchel e pranoi se ai i frikësohej eliminimit fillimisht, por sapo e shënuan golin e barazimit, thotë se e dinte që skuadra e tij do ta shënonte edhe golin e dytë.
“Nuk do të them që as që e menduam eliminimin. Pas 85 minutave lojë, ishim realistë. Por, eliminimi nuk ishte ndjenja e vetme që e kishim”, ka thënë Tuchel.
“Unë gjithmonë e kisha përshtypjen që nëse do ta shënonim golin e parë, do ta shtonim edhe të dytën së shpejti”.
“E patëm një ndeshje shumë të mirë dhe e merituam plotësisht fitoren. Ka edhe fat këtu, kjo është e vërtetë, por në përgjithësi e merituam”.
(Kosova Sot Online )