Manchester City këmbëngul për Koulibaly

  • S.A /
  • 18 August 2020 - 12:59
Manchester City këmbëngul për Koulibaly

Dështimi i radhës në Europë duket se ka lënë shije të hidhur te Manchester City, por drejtuesit e klubit anglez kanë ndërmend të konfirmojnë besimin ndaj trajnerit Pep Guardiola dhe t’i përforcojnë edhe më shumë organikën. Mbrojtja duket se është “thembra e Akilit” për “citizens”, ndaj pas holandezit Nathan Ake, drejtuesit e klubit anglez kanë nisur negociatat me Napolin, për të marrë shërbimet e senegalezit Kalidou Koulibaly.

Ky i fundit prej kohësh e ka pranuar se dëshiron të largohet nga Napoli për të provuar një tjetër eksperiencë, ndërsa Manchester City është klubi i vetëm që mund të kënaqë pretendimet e De Laurentiis, duke ofruar rreth 70 milionë euro për kartonin e mbrojtësit.

Ndërkohë te Napoli kanë filluar të mendojnë edhe për pasardhësin e Koulibaly dhe kanë nisur negociatat me klubin e Lille, për të marrë shërbimet e mbrojtësit 22-vjeçar brazilian, Gabriel dos Santos Magalhaes.

Ky i fundit ka shkëlqyer këtë sezon, duke u shndërruar në një titullar të francezëve, të cilët nga ana tjetër mund të heqin dorë nga mbrojtësi, nëse arkëtojnë një shifër prej 15-20 milionë eurosh.

(Kosova Sot Online )