Janë shtuar shqetësimet për gjendjen fizike Yamal

  • A.P /
  • 19 May 2026 - 15:30
Janë shtuar shqetësimet për gjendjen fizike Yamal

Kupa e Botës po afrohet, ndërsa te Spanja janë shtuar shqetësimet për gjendjen fizike të Lamine Yamal. Zyrtarët e kombëtares spanjolle kanë marrë lajme jo të mira për pjesëmarrjen e yllit të Barcelonës në fillim të turneut.

Sipas The Athletic, dëmtimi aktual në kofshë do ta lërë Yamal jashtë ndeshjes së parë të Spanjës në Kupën e Botës, ndaj Kepit të Gjelbër, më 15 qershor.

Por mungesa e tij mund të mos kufizohet vetëm në takimin hapës. Sipas të njëjtit raportim, 18-vjeçari është në dyshim edhe për ndeshjen e dytë të grupit, kundër Arabisë Saudite, më 21 qershor.

Yamal pësoi një çarje muskulore në kofshë teksa ekzekutonte një penallti në fitoren 1-0 të Barcelonës ndaj Celta Vigos në fund të prillit. Ky dëmtim e mbajti jashtë edhe në ndeshjet e fundit të sezonit me klubin katalanas.

Federata Spanjolle e Futbollit, Barcelona dhe vetë lojtari janë në kontakt të vazhdueshëm për ecurinë e rikuperimit. Sipas raportimit, pjesëtarë të stafit mjekësor të kombëtares po udhëtojnë rregullisht drejt Barcelonës për të ndjekur nga afër rehabilitimin e sulmuesit të ri.

Spanja shpreson ta ketë Yamal të gatshëm për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve kundër Uruguait, më 26 qershor. Një mungesë e tij edhe në fazën me eliminim direkt do të ishte goditje e madhe për ambiciet e “La Roja” në Botërorin që zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Kur është në formë të plotë, Yamal shihet si një nga armët kryesore të Spanjës, e cila konsiderohet mes favoriteve për ta fituar Kupën e Botës. Ai luajti rol të rëndësishëm edhe në suksesin e Kampionatit Evropian dy vite më parë, kur Spanja mposhti Anglinë në finale, ndonëse atëherë ishte vetëm 16-vjeçar për pjesën më të madhe të turneut.

Deri tani, Yamal ka regjistruar 25 paraqitje dhe gjashtë gola me kombëtaren spanjolle. Megjithatë, dëmtimet kanë qenë shqetësim i vazhdueshëm, pasi ai mungoi në katër nga gjashtë ndeshjet kualifikuese të Spanjës. 

(Kosova Sot Online)