Prishtina shpreson në vendim të favorshëm nga UEFA për ndeshjen me Lincoln

  • A.P /
  • 23 August 2020 - 09:11
Prishtina shpreson në vendim të favorshëm nga UEFA për ndeshjen me Lincoln

Prishtina shpreson se do të marrë vendim të favorshëm nga UEFA për ndeshjen parakualifikuese për pjesëmarrje në Ligën e Evropës kundër Lincoln Red Imps, e cila u anulua dy herë brenda javës, për shkak të rasteve të shumta me koronavirus në ekipin kosovar.

Bardhekaltrit u rikthyen në Prishtinë të shtunën pak para mesnatës, pasi ngjashëm si në fillim të javës, edhe të shtunën ndeshja me Lincoln në Gjibraltar u anulua sepse tetë futbollistë të tyre dolën pozitiv në testet për Covid-19.

Kampionia e Kosovës, Drita, e humbi ndeshjen parakualifikuese për Ligën e Kampionëve për të njëjtën arsye dhe Prishtina shpreson se nuk do ta përjetojë fatin e saj, edhe pse UEFA një herë ia dha mundësinë të tentojë sërish ta luajë ndeshjen disa ditë më vonë.

Fituesja e Kupës së Kosovës e krijoi një ekip të ri me lojtarë të huazuar nga klubet rivale të Superligës, por edhe ai i dështoi në testet për Covid-19.

Prishtina thotë se ndeshja u anulua nga autoritetet e Gjibraltarit, për dallim nga Lincoln që këmbëngul se ka qenë vendim i UEFA-s.

Zyrtarët e klubit kosovar kanë thënë se do t’i dërgojnë argumentet e veta në UEFA të hënën.

Prishtina deri të hënën do t’i argumentojë provat e sajë

Përfaqësuesi i Prishtinës, Bajram Shala, thotë se klubi bardhekaltër do të marrë vendim meritor nga UEFA.

“Absolutisht, deri sa kemi arritur që mos të merret vendimi në ditën e ndeshjes, e realisht krejt kjo ishte lufta që e kemi bërë, sepse praktikisht e kemi ditur që ishte e pamundshme të luhet, por që mos të kishte vendim nga UEFA, që mos të regjistrohej me rezultat zyrtar dhe të dërgojmë lëndën në komisionin e etikës dh disiplinës, për të cilën kemi afat deri ditën e hënë në ora 8 të mëngjesit. Duhet cekur të gjitha faktet, sidomos sakrifica që e ka bërë klubi me organizimin e një ekipi komplet të ri që është dëshmi e jashtëzakonshme që Prishtina ka tentuar në çdo formë që ndeshja të përcaktohet në terren dhe jo në tavolinë”, tha Shala pas rikthimit në kryeqytet.

“Nuk është e vërtet se si kanë aluduar vendasit që është vendim i UEFA-s, sepse ne e kemi të shkruar nga ana e delegatit vendimin që për pezullimin ndeshjes ka ardhur nga autoritetet lokale.”

“Është e vështirë të prejudikojmë vendimin, por duhet bërë maksimumin për ta bindur UEFA-në, duke mos i lejuar asgjë rastit. Pastaj UEFA besojmë do të marr vendimin meritor për çka nuk duhet dyshuar. Por, ne duhet të cekim komplet historikun nga java e kaluar nga ndeshja e parë kur është dashur të zhvillohet. Dhe, Prishtina në ço formë e ka dëshmuar që dëshiron të luajë duke krijuar ekip të ri e duke mos tentuar as të ankohet pas anulimit të ndeshjes së parë e duke mos kërkuar rezultat në tavolinë e siç po duket mjaft haptas ka qenë qëllimi i Lincolnit”, shtoi ai. 


(Kosova Sot Online)