NBA: Lakers në epërsi ndaj Blazzers, falë dyshes LeBron James dhe Anthony Davis

  • A.P /
  • 23 August 2020 - 11:44
NBA: Lakers në epërsi ndaj Blazzers, falë dyshes LeBron James dhe Anthony Davis

Los Angeles Lakers fluturon me dyshen LeBron James-Anthony Davis. Kalifornianët fituan edhe ndeshjen e tretë ndaj Portland Trail Blazzers me shifrat 116-108 duke marrë në 2-1 kryesimin e serisë së përballjes mes tyre.

Mbreti James bëri liderin e vërtetë në këtë sfidë teksa ishte thjeshtë “monstruoz” me 38 pikë, 12 rebound dhe 8 asiste, edhe Davis shkëlqeu me 29 pikë, 11 rebound dhe 8 asiste.

Të pamjaftueshme ndërkohë 34 pikët e realizuara nga Damian Lillard për Portlandin që tashmë duhet të mendojë për ndeshjen e radhës. Rihapi garën në përballjen tjetër çerekfinale në Perëndim Oklahoma City Thunder që mposhti pas kohës shtesë me rezultatin 119-107 Houston Rockets. 

Në HP Field House të Orlandos diferencën e bëri loja në grup e City Thunder, ku plot 4 basketbollistë të City Thunder realizuan 20 pikë e sipër.

Spikati padiskutim gjermani Denis Schroder me 29 pikë ndërsa u ndihmua edhe Chris Paul me 26 pikë të tjera. Ndërkohë për të evituar humbjen e parë në përballjen ndaj Oklahomës, Houston-it nuk i mjaftuan 38 pikët e James Harden.

Një super Giannis Antetokounmpo mori për dore Milwaukee Bucks që gjithashtu tashmë kryeson 2-1 serinë ndaj Orlando Magic. Greku ishte jeshtë jashtëzakonshëm duke realizuar 35 pikë 11 rebound dhe 7 asiste.

Një sukses me shifrat 121-107 për Bucks që tanimë duhet të fitojnë dhe dy sfida të tjera për të shkuar në gjysmëfinalet e Lindjes.

Miami Heat ndërkohë pothuajse është në fazën tjetër të play-off pas fitores së tretë radhazi që mori në serinë ndaj Indiana Pacers këtë herë me rezultatin 124-115, ku dy më të mirët mbi parket për skuadrën nga Florida ishin Jimmy Butler dhe Goran Dragic që sëbashku koleksionuan 51 pikë.


(Kosova Sot Online)