Ancelotti e merr yllin e Napolit në Everton

  • A.P /
  • 30 August 2020 - 12:44
Ancelotti e merr yllin e Napolit në Everton

Mbyllet pas 5 sezonesh aventura e mesfushorit brazilian Allan te Napoli, pasi këta të fundit kanë arritur marrëveshjen me Evertonin për shitjen e futbollistit për shifrën e 25 milionë eurove, plus bonuset që mund ta çojnë shifrën totale në 30 milionë euro.

Mesfushori 29-vjeçar ka në qytetin e Liverpoolit një adhurues të madh, siç është trajneri Carlo Ancelotti, me të cilin kanë punuar për më tepër se një sezon te Napoli dhe ishte pikërisht këmbëngulja e italianit që Allan të transferohet në Angli.

Everton provoi të marrë mesfushorin që në janar, por Napoli bëri rezistencë, megjithatë disa debate të brazilianit me Gattuson, bënë që Allan të dalë jashtë planeve të trajnerit dhe De Laurentiis të pranonte shitjen.

Së fundi në garë për mesfushorin u përfshinë edhe klube si Atletico Madrid e Borussia Dortmund, por vetë Allan këmbënguli për Evertonin, ku mezi pret të bashkohet sërish me trajnerin Carlo Ancelotti.

Në 5 sezonet e tij me Napolin, Allan numëron plot 212 takime, gjatë të cilave ka shënuar edhe 11 gola ndërsa suksesin e vetëm e ka pasur në Kupën e Italisë, të fituar pikërisht në fillim të kësaj vere.


(Kosova Sot Online)