Gjilani e ndal Ballkanin me barazimin

  • A.P /
  • 27 September 2020 - 15:35
Gjilani e ndal Ballkanin me barazimin

Gjilani dhe Ballkani kanë barazuar pa gola në një lojë të zbehtë në stadiumin e qytetit në Gjilan të dielën.

Skuadra e Ismet Munishit ngeci në Gjilani pas dy fitoreve radhazi në dy ndeshjet hapëse në sezonin e ri 2020/21 në Superligë, duke mos mundur të krijojë shumë.

Ballkani pati më shumë nga loja në pjesën e parë, veçanërisht me Blendi Baftiun e kthyer në formacion, i cili megjithatë nuk i shfrytëzoi mundësitë e mira pasi nuk u duk në element.

Gjilani ka mundur ta fitojë këtë takim, sikur Shend Kelmendi të shënonte nga rreth gjashtë metra largësi i papenguar rreth 20 minuta para fundit.

Por goditja e tij e plogësht shkoi jashtë portës për fatin e klubit nga Suhareka.

Ballkani zbret në pozitën e dytë tani me 7 pikë, aq sa ka edhe liderja, skuadra e promovuar këtë vit, Arbëria.

Ndërkohë, Gjilani është i gjashti me 4 pikë pas një fitoreje, një humbjeje dhe një barazimi.

Ballkani i shkon Llapit javën e ardhshme, ndërsa Gjilani e viziton Skenderajn për përballjen me Drenicën. 

(Kosova Sot Online)