Fati e falënderon Messin për këshillat pas golave kundër Villarrealit

  • S.A /
  • 28 September 2020 - 09:09
Fati e falënderon Messin për këshillat pas golave kundër Villarrealit

Talenti mahnitës i Barcelonës, Ansu Fati, e ka falënderuar Lionel Messin për këshillat, pas dy golave që i shënoi në fitoren e skuadrës së vet 4:0 kundër Villarrealit të dielën në La Liga.

Fati shënoi dy herë në 20 minutat e parë të ndeshjes, duke i ndihmuar trajnerit Ronald Koeman ta nisë në stil fushatën në La Liga. Messi e shënoi golin e tretë nga penalltia, para se Pau Torres të shënonte autogol pak para përfundimit të pjesës së parë.

Por ishte Fati ai i cili shkëlqeu mbrëmjen e së dielës në Camp Nou dhe dëshmoi përse shumë njerëz e vlerësojnë si pasardhës të Messit një ditë.

Tani për tani, megjithatë, 17-vjeçari po e shijon çdo minutë lojë përkrah argjentinasit, i cili po ka ndikim në zhvillimin e spanjollit të ri.

“Të luash me Messin është ëndërr të cilën e kam pasur si fëmijë dhe tani po e jetoj”, tha Fati pas ndeshjes.

“Ai më jep mua shumë këshilla; më ndihmon shumë në fushë dhe në stërvitje, por edhe jashtë saj dhe kjo më bën shumë të lumtur”, shtoi Fati.

(Kosova Sot Online )