Dështon seanca gjyqësore ndaj kryetarit të FFK-së, është jashtë shtetit

  • S.A /
  • 24 March 2021 - 13:53
Dështon seanca gjyqësore ndaj kryetarit të FFK-së, është jashtë shtetit

Ka dështuar seanca gjyqësore ndaj presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, e paraparë për t’u mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në kuadër të rigjykimit për “detyrim në tentativë”, për cka Ademi akuzohet bashkë me Muharrem Ramën.

Të dy të akuzuarit kanë munguar bashkë me të dëmtuarin Dritëro Kadolli.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medije Bytyqi njoftoi se i akuzuari Ademi përmes mbrojtësit të tij, avokatit Labinot Murati me anë të një parashtrese e kishte informuar gjykatën se ishte jashtë shtetit dhe se nuk mund të ishte prezent në këtë seancë. Ndryshe, sot Kombëtarja e Kosovës zhvillon ndeshje me Lituaninë në Prishtinë, ku të dielën e pret edhe Suedinë.

Ndërkaq, sipas gjykatëses Bytyqi i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Rama edhe pse kishte qenë i njoftuar për seancën e së mërkurës, nuk e kishte informuar gjykatën për arsyet e mungesës së tij.

Po ashtu, në këtë seancë ka munguar edhe i dëmtuari Dritëro Kadolli, i cili sipas gjykatëses Bytyqi e kishte njoftuar gjykatën me parashtresë se nuk mund të prezantojë në këtë seancë për shkak të një udhëtimit të planifikuar jashtë shtetit. Në këtë mënyrë, seanca e së mërkurës është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës, më 15 gusht 2020, kishte njoftuar se këtë rast e kishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, duke anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, me të cilat, Ademi ishte shpallur fajtor për veprën penale, detyrim në tentativë dhe ishte dënuar me nëntë muaj burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, për të njëjtën vepër penale me një vit burgim ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër, Muharrem Rama.Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar më kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme, e cila kishte vendosur që t’i aprovojë si të bazuara kërkesat e mbrojtjes.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, Ademin e kishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv për “detyrim në tentativë”, ndërsa Ramën me një vit burg efektiv.

Mirëpo në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve të ushtruara nga aktgjykimit të shkallës së parë, duke i lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje, mirëpo për këtë vepër penale ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak se kjo vepër penale është parashkruar.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

(Kosova Sot Online )