Zgjedhjet në KOK: Tre kandidatë për postin e presidentit

  • S.A /
  • 25 March 2021 - 13:29
Zgjedhjet në KOK: Tre kandidatë për postin e presidentit

Zgjedhjet në KOK: Tre kandidatë për postin e presidentit.  Besim Hasani, Linda Shala e Ismet Krasniqi janë tre kandidatët për të parin e sportit kosovar, në Asamblenë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Kosovës, e cila do të mbahet sot. Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten do të bëhet me prijës të ri. Presidenti aktual, Besim Hasani do të sfidohet nga Linda Shala dhe Ismet Krasniqi, në Asamblenë Zgjedhore të KOK-ut.

Të tre kandidatët shprehen optimistë se do ta fitojnë garën e nxehtë.

Hasani është në krye të institucionit më të lartë të sportit kosovar që më shumë se dy dekada, por ai nuk e ka ndërmend të ndalet.

Kryetari aktual, në një bisedë me medien  u shpreh se ka ende çka t’i japë sportit kosovar, pas kontributit të deritashëm. Ai mendon se kundërkandidatët nuk kanë shumë njohuri për KOK-un dhe s’mund ta menaxhojnë atë si ai.  Hasani premton se me punën që do ta bëjë, sportistët do të zhvillohen dhe do të sjellin medalje të tjera olimpike dhe botërore. Ndërkohë, Linda Shala njihet si një menaxhere e suksesshme. Ajo është nominuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Ish-kryetarja e KB Trepçës insiston se është koha për ndryshime në KOK dhe mendon se është personi i duhur për ta drejtuar këtë institucion sportiv. Kjo pasi thotë se në të kaluarën e ka demonstruar se di të menaxhojë, si në sport, ashtu edhe në sferat tjera. Ndërkaq, kandidati tjetër është kryetari aktual i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi. Media  ia ka dërguar atij pyetjet, por nuk ka marrë përgjigje. Asambleja Zgjedhore e KOK-ut do të mbahet të enjten duke filluar nga ora 17:00

(Kosova Sot Online )