
Lexoni edhe:
Vendimi i qeverisë ka krijuar perceptimin se resurset po përdoren për të ndikuar në sjelljen elektorale të qytetarëve
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Edhe Albin Kurti po e ndjek praktikën e pararendësve të tij për ndarjen e pagesave të njëhershme, por jo me rritje permanente për kategori të caktuara të qytetarëve në prag të zgjedhjeve parlamentare!
-Përderisa në të kaluarën ndodhnin rritje të pagave në sektorin publik në prag të zgjedhjeve, siç ndodhnin zakonisht rritje të pagave për policinë, punonjësit arsimorë dhe pjesërisht edhe për sektorin shëndetësor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po bën veprime ‘ad hoc’ apo të njëhershme për joshjen e elektoratit!
Kësisoj, në prag të zgjedhjeve të 7 Qershorit 2026 në Kosovë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se ka marrë vendim t’ua ndajë nga 100 euro pensionistëve, nga 100 euro fëmijëve, derisa nga 500 euro për nënat lehona, të cilat tha se do të ekzekutohen në fillim të javës që vjen.
Kurti tha se pensionistët dhe fëmijët nuk do të kenë nevojë fare për aplikim.
Ndërsa studentët aktivë dhe punonjësit e sektorit jo publik, të cilëve po ashtu do t’u ndahen 100 euro, tha se duhet të aplikojnë për t’i marrë.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagesave të njëhershme prej 100 eurosh për kategori të ndryshme qytetarësh në prag të zgjedhjeve të 7 Qershorit është puro politik, antiligjor dhe i padrejtë në aspektin njerëzor, i cili ndikon në rezultatin zgjedhor!
Përveç shkeljes ligjore, kjo paraqet keqpërdorim të resurseve publike për qëllime elektorale, gjegjësisht për blerjen e votave të qytetarëve!
Njerëzit në Kosovë kanë pritur më shumë barazi qytetare dhe drejtësi sociale nga kryeministri Albin Kurti, i cili u ngrit në karrierën politike me premtimet për shtet të së drejtës dhe barazi për të gjithë qytetarët e vendit!
Vendimet e qeverisë në detyrë për ndarjen e fondeve të njëhershme e jo permanente ndikojnë në konkurrencën politike dhe (pa)barazinë e garës zgjedhore në Kosovë, por aspak në uljen e inflacionit dhe mirëqenien e qytetarëve!
Mbështetja për qytetarët, rritja e mirëqenies dhe zhvillimi ekonomik duhet të jenë masa afatgjata dhe të qëndrueshme që krijojnë besim dhe siguri tek qytetarët, e jo masa afatshkurtra elektorale për mbajtjen e pushtetit!
Edhe në këto zgjedhje Kosova po shkon pa një alternativë që e hap “një kapitull të ri” në qeverisjen e vendit, e cila në fokus e ka zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në fakt, këto janë zgjedhje të reja me mentalitet të vjetër qeverisës; janë zgjedhje të zhurmshme, pa ide konkrete dhe pa programe të qarta qeverisëse nga partitë politike në garën zgjedhore!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".