Prishtina e ngrit lart trofeun e Superligës së Kosovës

  • A.P /
  • 16 May 2021 - 17:41
Prishtina e ngrit lart trofeun e Superligës së Kosovës

Prishtina e ngriti lart në qiell trofeun e Superligës për sezonin 2020/21 të dielën, i cili është i 11-të në historinë e klubit.

Klubi nga kryeqyteti e mundi 2:1 Gjilanin të dielën për t’i dhënë fund një pritjeje të gjatë prej tetë vjetëve për titull.

Kapiteni Lorik Boshnjaku e çoi lart trofeun e Superligës, i cili ishte i pari për të në karrierë.

Ky është titulli i 11-të për Prishtinën në historinë e klubit, që është rekord në futbollin kosovar,

Hera e fundit kur klubi nga kryeqyteti e fitoi titullin në Superligë, ishte sezoni 2012/13.

Besnik Krasniqi dhe Behar Maliqi ishin kampionët e fundit të Prishtinës dhe ata u rikthyen në klub këtë sezon për ta përsëritur suksesin.

Prishtina udhëtoi të dielën drejt Gjilanit, e vetëdijshme se me një fitore apo edhe me një barazim, do t’i jepte fund përfundimisht pritjes tetëvjeçare për titull.

Dhe këtë e arriti skuadra e Zekirija Ramadanit, duke e mundur 2:1 Gjilanin në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

Gledi Mici dhe Qëndrim Zyba shënuan për bardhekaltrit, ndërkohë që Arbër Çyrbja realizoi për vendasit.

Prishtina i mblodhi 78 pikë nga 35 ndeshje këtë sezon, pesë më shumë se Drita që e mposhti Drenicën, dhe shtatë më shumë se Ballkani, të cilin e pret në Fadil Vokrri në ditën e fundit të sezonit javën e ardhshme. 

(Kosova Sot Online)