Nuk ka gol për Muriqin, Torino siguron mbijetesën në Serie A

  • A.P /
  • 18 May 2021 - 22:36
Nuk ka gol për Muriqin, Torino siguron mbijetesën në Serie A

Lazio nuk ka arritur që të fitojë kundër Torinos në Stadio Olimpico të Romës. Vedat Muriqi në këtë ndeshje luajti për më shumë se 90 minuta dhe pati disa raste të mira për shënim, por që golin ia mohoi portieri në formë, Sirigu që priti edhe një penallti sonte

Lazio nuk ka arritur që të fitojë tri pikë në ndeshjen e shtyrë të xhiros së 25-të të Serie A italiane.

Sulmuesi i Kombëtares se Kosovës ka luajtur për 90 minuta në këtë ndeshje dhe kishte disa mundësi të mira për shënim.

Muriqi ishte në aksion që në minutën e tretë ku goditi me të majtën por priti Sirigu. Ai kishte edhe dy shanse të tjera të mira për shënim në minutën e 7 dhe 8 por që goditjet e tij me kokë përfunduan jashtë portës.

Pas këtyre dy rasteve pjesa e parë përfundoi me rezultat 0-0.

Edhe në pjesën e dytë Muriqi ishte mjaft aktiv.

Muriqi do të humbiste një mundësi të mirë për shënim në minutën e 53-të por edhe kësaj here goditja e tij me kokë përfundon jashtë shtyllës pingule.

Rastin më të mirë për shënim ai e pati në minutën e 78-të ku goditjen e tij me kokë e ndali përsëri portier, sonte në disponim për lojë, Sirigu.

Se Sirigu ishte në superformë u pa edhe në minutën e 83-të ai priti penalltinë e Immobilos.

Rasti i fundit për Muriqin ishte në minutën e tretë shtesë ku kosovari goditi me të majtën dhe nëse goditja e tij nuk do të ishte devijuar ai do të shënonte gol.

Ky barazim nuk i prish asnjë punë Lazios pasi që ata do të përfundojnë në vendin e gjashtë këtë sezon në Serie A dhe do të luajnë në Europa Ligë.

Ndërkohë, skuadra e Mërgim Vojvodës Torino edhe zyrtarisht ka siguruar mbijetesën edhe për një sezon në Serie A pasi që ka 36 pikë, katër më shumë se Benevento pas 37 xhirove të kampionatit italian. 

(Kosova Sot Online)