Shqipëria nis përgatitjet, Reja kompleton grupin

  • A.P /
  • 27 May 2021 - 23:31
Shqipëria nis përgatitjet, Reja kompleton grupin

Kombëtarja Shqiptare nisi përgatitjet në kompleksin stërvitor në Durrës, në kuadër të dy miqësoreve që o të zhvillojë në fillim të muajit qershor ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke.

Nën drejtimin e trajnerit Edi Reja ishin thuajse të gjithë futbollistët që morën një ftesë për t’iu bashkuar kuqezinjve për këto miqësore, me përjashtim të Etrit Berishës dhe Thomas Srakoshës, të cilët nuk ia dolën të rikuperojnë nga dëmtimi.

Ndërkohë sonte të mbrëmje pritet që në grumbullim të bashkohen edhe emra si Kumbulla, Gjimshiti, Bare, Hysaj, Ismajli e Broja, të cilët do të vihen në rresht para trajnerit italian që në seancën e nesërme stërvitore.

Vlen të theksohet se në këtë grumbullim kanë ardhur për herë të parë dy portierë nga Kategoria Superiore, Alen Sherri i Laçit dhe Romeo Harizaj i Apolonisë, të cilët kanë bërë mjaft mirë gjatë këtij sezoni.

Të dy ata, bashkë me Gentian Selmanin do të jenë në dispozicion të trajnerit Reja, teksa pikërisht gardiani që aktivizohet në Turqi, pritet të jetë edhe titullar në miqësoren ndaj Uellsit më 5 qershor dhe atë ndaj Republikës Çeke më 8 qershor. 

(Kosova Sot Online)