Reagon Sterling, pas akuzave se simuloi për ta fituar një penallti kundër Danimarkës

  • S.A /
  • 08 July 2021 - 12:31
Reagon Sterling, pas akuzave se simuloi për ta fituar një penallti kundër Danimarkës

Raheem Sterling ka këmbëngulur se ishte goditur nga Joakim Maehle në incidentin e penalltisë e cila e dërgoi Anglinë në finale të Kampionatit Evropian 2020 të mërkurën.  Anglia do të përballet me Italinë të dielën, pasi e mundi 2:1 Danimarkën për ta arritur finalen e parë të madhe që prej triumfit në Kupën e Botës më 1966.

Kur gjithçka po shkonte baras 1:1 edhe pas 90 minutave lojë, skuadra e Gareth Southgate e mori lojën nën kontroll ndaj danezëve të lodhur në kohën shtesë. Maehle u penalizua për një ndërhyrje të palejueshme ndaj Sterlingut në zonën daneze.

Sterling u fut nëpër mbrojtjen e Danimarkës dhe u rrëzua në zonë pas një kontakti minimal. Megjithëse ndërhyrja ndaj tij ishte e butë, gjyqtari dha shenjë për penallti dhe, edhe pse Kasper Schmeichel e mbrojti penalltinë e Harry Kane, kapiteni i anglezëve e shënoi nga topi i kthyer për t’i dërguar tre luanët në finalen e së dielës në Wembley. Anësori i Manchester City, i cili ka histori simulimi, u akuzua pas ndeshjes se u rrëzua tejet lehtësisht dhe bëri gjithçka për ta fituar një penallti të padrejtë.

I pyetur pas ndeshjes nëse ishte penallti, Sterling tha: “Ishte penallti, patjetër”.

“Unë u futa në zonë dhe ai ma goditi këmbën e djathtë dhe m’i preku këmbët, prandaj ishte penallti e pastër”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )