Ronaldo: Po kthehem aty ku e kam vendin, historia do të shkruhet përsëri

  • G.G /
  • 31 gusht 2021 - 14:39
Ronaldo: Po kthehem aty ku e kam vendin, historia do të shkruhet përsëri

Cristiano Ronaldo ka thënë se u kthye aty ku e ka vendin, në Manchester United, dhe ia kushtoi kthimin ish-trajnerit të vet Sir Alex Ferguson.

Ronaldo iu ribashkuar Manchester Unitedit nga Juventusit për 23 milionë euro.

Superylli portugez nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me Manchester Unitedin, me mundësi vazhdimi për edhe një vit tjetër.

Në një shkrim në rrjetet sociale pas njoftimit të marrëveshjes për kalimin e tij në United, superylli portugez tha se kthimi në Old Trafford është si një ëndërr e bërë realitet për të.

“Të gjithë që më njohim e dinë se dashuria ime për Manchester Unitedin është e pafundme. Nuk mund as të filloj t’i përshkruaj ndjenjat tani që po e shoh njoftimin në gjithë botën për kthimin tim në Old Trafford. Është ëndërr e bërë realitet”, shkroi Ronaldo.

“Titulli i parë në ligë, kupa e parë, ftesa e parë në ekipin kombëtar të Portugalisë, trofeu i parë i Ligës së Kampionëve, Këpuca ime e parë e Artë dhe Topi im i parë e Artë, të gjitha u lindën nga kjo lidhje e veçantë mes meje dhe djajve të kuq. Historia u shkrua në të kaluarën dhe do të shkrihet përsëri! Jua jap fjalën”, theksoi ai.

Ronaldo luajti nën udhëheqjen e Sir Alex Ferguson në periudhën e tij të parë në United dhe ia kushtoi kthimin në klub ish-trajnerit.

Ronaldo shtoi: “Jam këtu! Jam kthyer aty ku përkas! Ta bëjmë përsëri! Sir Alex, kjo është për ty…”

36-vjeçari ishte pjesë e Unitedit për gjashtë vjet, nga viti 2003 deri më 2009, duke i shënuar 118 gola në 292 ndeshje.

https://www.facebook.com/Cristiano/posts/398642308288982

(Kosova Sot Online)