Ronaldo vendos një tjetër rekord

  • E.K /
  • 21 September 2021 - 18:13
 Ronaldo vendos një tjetër rekord

Kush mendonte se Cristiano Ronaldo nuk kishte çfarë të jepte më për Manchester United, në këtë rikthim pas 12 vitesh, sigurisht që e ka pasur gabim.

Me 4 gola në tre ndeshje të luajtura me fanellën e “djajve të kuq”, Ronaldo u ka mbyllur gojën të gjithë kritikëve të këtij transferimi dhe është shndërruar menjëherë në “lokomotivën e trenit” të drejtuar nga norvegjezi Ole Gunnar Solskjaer.

CR7 ka bërë diferencën jo vetëm me golat e shënuar, por edhe me gjendjen e tij atletike, pasi në ndeshjen ndaj West Ham “u kap nga radari” teksa vraponte me 32.51 km/orë, shpejtësia më e lartë e regjistruar për lojtarët që shkelën në fushë gjatë atij takimi.

Sigurisht që kjo nuk është pak, madje është impresionuese për një futbollist pranë të 37-ave, aq më tepër kur mendon se “yje të tjerë kanë perënduar shumë më herët”, ndërsa Cristiano Ronaldo ka marrë përsipër sfidën të shkëlqejë sërish mbi “Teatrin e Ëndrrave”.

Por nuk mbaron me kaq, pasi ylli portugez ka vendosur një tjetër rekord. “London Stadium” i West Hamit u bë impianti i 66 futbollistik, në të cilin Cristiano Ronaldo ia del të shënojë gol gjatë karrierës së tij.

Ky rekord mbahej nga gjiganti suedez, Zlatan Ibrahimovic, që kishte shënuar në 64 stadiume, megjithatë tani është portugezi që ngjitet në krye të një tjetër liste, duke shtrirë gjithmonë e më shumë dominimin e tij.

(Kosova Sot Online)