Mancini i dërgon mesazh prekës Agueros

  • S.A /
  • 15 December 2021 - 10:29
Mancini i dërgon mesazh prekës Agueros

Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, ka thënë se i vjen shumë keq të dëgjojë se Sergio Aguero do ta braktisë futbollin para kohe për shkak të telasheve me zemër.

Aguero do ta njoftojë sot pensionimin nga futbolli në një konferencë për media përkrah presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, në Camp Nou. Sulmuesi argjentinas përjetoi vështirësi në frymëmarrje dhe shtrëngim në gjoks në një ndeshje të Barçës kundër Alavesit më 30 tetor. Testet mjekësore gjetën se 33-vjeçari ka çrregullime në të rrahurat e zemrës.

Aguero iu bashkua Barcelonës në verë si lojtar i lirë, pasi u largua nga Manchester City, me të cilin i kishte mbaruar marrëveshja në qershor.

Mancini, i cili ia fitoi Manchester Cityt titullin e parë në Premierligë në sezonin 2011/12, e kishte Agueron si sulmuesin kryesor të ekipit gjatë kohës së tij në Etihad.

“Më vjen shumë keq, ia uroj atij të gjitha të mirat. Më vjen shumë keq të dëgjoj se ai po largohet kaq shpejt”, tha Mancini.

“Unë e desha atë në City, ai është lojtari i huaj me mesataren më të lartë të golave në Angli. Më vjen keq që ai duhet të largohet nga futbolli kaq shpejt”, shtoi ai.

Mancini e udhëhoqi Manchester Cityn nga dhjetori 2009 deri në maj 2013 dhe Aguero i ishte bashkuar klubit më 2011.

(Kosova Sot Online )