Faleminderit kampione

  • A.P /
  • 31 December 2021 - 21:42
Faleminderit kampione

Majlinda Kelmendi i dha fund karrierës së jashtëzakonshme, i bëri krenarë krejt shqiptarët

Majlinda Kelmendi tha “mjaft”.

Sportistja më e madhe kosovare i dha fund në vitin 2021 karrierës së jashtëzakonshme.

Xhudistja pejane i ka bërë krenarë, me lot dhe emocione krejt shqiptarët me arritjet dhe sukseset e saj.

Pas karrierës prej 20 vjetësh, Kelmendi u ndal pas përfundimit të Lojërave Olimpike.

Në “Tokyo 2020” ajo nuk mundi ta mbronte titullin e kampionies olimpike dhe as saj u ndal.

Pasi ishte shpallur Qytetare Nderi dhe Qytetare me merita të veçanta, Majlinda u dekorua edhe me urdhrin “Shotë Galica.

Në mes lotësh, ajo u përshëndet përfundimisht pasi për nder të saj Presidenca e Kosovës kishte përgatitur ceremoni shtetërore.

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Jam munduar t’ju bëj krenarë. Ju kam në zemër”, ka thënë Majlinda në muajin dhjetor.

Ajo e mbyll kështu një kapitull të pabesueshëm pasi vjen nga një vend i vogël.

Kelmendi e kishte arritur kulmin në vitin 2016 në Rio, kur Kosovës ia kishte sjell medaljen e parë të artë olimpike.

Ajo gjithashtu është shpallur dy herë kampione e botës dhe katër herë kampione evropiane.

Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.

Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.

Ajo ka marrë pjesë në tri Olimpiada.

Në dy prej tyre e ka përfaqësuar Kosovën e në një tjetër Shqipërinë.

Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.

Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka.


(Kosova Sot Online)