Gara e nxehtë për President të FFK’së, të gjithë kundër Agim Ademit

  • A.P /
  • 21 February 2022 - 16:59
Gara e nxehtë për President të FFK’së, të gjithë kundër Agim Ademit

Kur kanë mbetur edhe rreth pesë muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve për president të FFK-së, në futbollin kosovar së fundmi është krijuar një “lëmsh” i madh. Në njërën anë është pozicionuar kryetari aktual, Agim Ademi, i cili është i vendosur ta kërkojë një tjetër mandat katërvjeçar. Në anën tjetër, shihen figura tjera të njohura. Ish përkrahës apo bashkëpunëtorë të Ademit, me të cilin u prishën ndërkohë. Remzi Ejupin, Arianit Ahmetin, Gramoz Vokrrin, Afërdita Fazlijajn apo edhe Eroll Salihun tashmë i bashkon veç mendimi se Agim Ademi ka keqqeverisur me futbollin qe katër vjet dhe duhet të shkojë. Por, ata nuk e kanë një “lider” të përbashkët. Përkundrazi, brenda 24 orëve dy nga ta i shpallën kandidaturat për kryetar, duke e çuar në pesë gjithsej numrin e kandidatëve për zgjedhjet e korrikut. Tre të tjerë veç po presin…

Futbolli kosovar tashmë ka hyrë në një proces shumë të rëndësishëm, prej së cilit varet mjaft e ardhmja e tij. Bëhet fjalë për vitin zgjedhor në të cilin ka hyrë shtëpia e futbollit.

Më së largu në muajin korrik në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) do të mbahen zgjedhjet për kryetar të saj, pozitë të cilën aktualisht e mban Agim Ademi, i cili e ka zëvendësuar Fadil Vokrrin e ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë më 9 qershor të vitit 2018

Ndërsa, përmes një Kuvendi të Jashtëzakonshëm të FFK-së, më 6 korrik të vitit 2018, Agim Ademi ishte zgjedhur kryetar, të cilin mandat e mban edhe sot, ndonëse në disa raste me kontestime të forta e të dyshimta.

Por, ato polemika disi ishin kaluar. Ademi tani po e qon drejt fundit mandatin katërvjeçar dhe thuajse sigurt do të kandidojë për një tjetër mandat.

Ademi më 6 korrik të vitit 2018 ishte zgjedhur kryetar i FFK-së pa asnjë votë kundër. Por, me kalimin e kohës komunitetit të futbollit i humbi unanimiteti.

Ademi u prish me shumë figura të njohura, si me djalin e ish presidentit Fadil Vokrri, Gramoz Vokrri, pastaj me ish zëvendëssekretarin Arianit Ahmeti, ndërkohë raportet e tij u çanë edhe me Remzi Ejupin.

Çarjet nuk u ndalën dot as brenda FFK-së e as rreth saj. Ndërkohë, ndodhi përplasja e madhe në mes Ademit dhe Eroll Salihut, i cili me vite të tëra ishte sekretar gjeneral i FFK-së, të cilën pozitë nuk e mban më qysh prej prishjes së raporteve me Agim Ademin. Salihu tani e mban një pozitë shumë më të ulët në FFK, kurse detyrën e sekretarit gjeneral qe disa muaj e ushtron një tjetër i preferuar i Ademit – Taulant Hodaj.

Sikur nuk mjaftuan gjitha këto përçarje. Kur futbolli i Kosovës hyri në vit zgjedhor, Ademi u nda keq edhe me Afërdita Fazlijajn, tashmë ish selektore e ekipit kombëtar të femrave, përkatësisht një aktiviste e vjetër e futbollit dhe sportit kosovar.

Gjithë këta emra tani janë shndërruar në kundërshtarë të Agim Ademit, prej të cilëve është dëgjuar gjithçka që ka të bëjë me keqmenaxhim të FFK-së nga kryesia aktuale e FFK-së, e prirë nga Ademi.

Të gjithë ata sot i bashkon vetëm një gjë: Mendimi për ndryshim në futboll dhe largimi i domosdoshëm i Ademit nga posti i kryetarit përmes zgjedhjeve të ardhshme.

Por, tash për tash, ata nuk i bashkon diçka tjetër. Si opozitarë me një kauzë të përbashkët, nuk është që veprojnë bashkë edhe në procesin e zgjedhjeve të FFK-së. Cilido prej tyre që është prishur me Agim Ademin, është parë menjëherë si një kundërkandidat i mundshëm i tij.

Mundësinë e kandidimit nuk e përjashtonin vet ata, por as nuk e konfirmonin, duke ia lënë secili vetes hapur mundësinë.

Papritmas shkon në pesë numri i kandidatëve zyrtarë!

Derisa njerëzit më eminent, të përçarë me Agim Ademin, vetëm akuzonin prijësin e FFK-së dhe nuk konfirmonin dot kandidaturë për kryetar, befas kishin ardhur dy kandidatura – një nga Llapi e tjera nga Vushtrria. Qysh në pjesën e parë të vitit të kaluar, ish donatori i klubit futbollistik Llapi, Nexhat Dumnica e kishte konfirmuar kandidaturën për kryetar. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe trajneri vushtrrias, Bekim Shotani. Mirëpo, prej atëherë asnjëri nga ta nuk shiheshin të bënin lëvizje konkrete. Mbase sikur ishin harruar.

Mbrëmë, përmes një emisioni sportiv në RTV Dukagjin, njëri prej donatorëve më të vjetër në futbollin kosovar, Remzi Ejupi, e konfirmoi kandidaturën e tij për kryetar, duke hedhur varg akuzash për keqmenaxhim me futbollin në adresë të Agim Ademit. Ai tha se do të largohet nga posti i presidentit të FC Prishtinës dhe theksoi se një ekip ndërkombëtar po ia përgatit programin e kandidimit të tij për kryetar.

Ndërsa, sot në një prononcim, edhe Arianit Ahmeti konfirmoi se do të kandidojë për kryetar të FFK-së.

Meqenëse, Agim Ademit thuajse sigurt do të kandidojë edhe për një mandat katërvjeçar, kandidaturat e reja të Remzi Ejupit dhe Arianit Ahmetit nuk mbesin të vetmet.

Sot ka kontaktuar me dy kandidatët e parë, Nexhat Dumnicën dhe Bekim Shotanin. Dhe, të dy ata thanë se nuk janë tërhequr nga kandidaturat e shpallura gati qe një vjet më parë.

“Kandidaturën e kam shpallur. Jam duke punuar dhe duke e hartuar planin punues për mandat katërvjeçar. Unë nuk ju shkoj njerëzve me ua mbledh nënshkrimet. Planprogrami im është afër përfundimit. Unë shkoj nëpër regjione dhe e prezantoj projektet, planin tim. Kandidatura ashtu siç jam deklaruar publikisht”, tha Dumnica për “Express”.

Edhe Bekim Shotani tha se nuk është tërhequr nga ambicia për t’u bërë kryetar i FFK-së. “Po, unë do të kandidojë dhe do t’i kërkojë nënshkrimet e nevojshme për kandidim”, tha Shotani..

Në këtë mënyrë, shkon në pesë numri i kandidatëve zyrtarë për kryetar.

Eroll Salihu, Afërdita Fazlija dhe Gramoz Vokrri kandidatët tjerë të mundshëm

Ndërkohë, ndër kandidat tjerë potencial për kryetar të FFK-së qysh prej kohësh qarkullon emri i Gramoz Vokrrit, djalit të legjendës Fadil Vokrri, i cili pas vdekjes së babait ishte angazhuar shkurtimisht në FFK, prej ku doli pas prishjes së raporteve me kryetarin Agim Ademi. I pyetur nga “Gazeta Express” nëse ka vendosur për të kandiduar për kryetar të FFK-së, Gramozi u tregua i matur në deklarim. “Përderisa nuk kemi datë të zgjedhjeve është pak vështirë për t’u prononcuar. Kjo situatë e mjegullt rreth zgjedhjeve nuk i ndihmon futbollit”, thotë Vokrri për “Express”.

“Për me qenë kandidat nuk mjafton një deklaratë publike, por duhet me pasur përkrahjen e klubeve. Një dëshirë për ndryshim nga ana e klubeve ekziston. Edhe kandidimi eventual duhet me qenë burim i vullnetit të klubeve. Por, për momentin është herët me u prononcu. Edhe njëherë po e potencoj se secili pretendent për kandidat që është në gjendje me gjete përkrahje dhe prezanton një program serioz në interes të futbollit është i mirëseardhur në këtë garë”, theksoi Gramozi.  

Javëve të fundit, në çarqet e futbollit po qarkullon me të madhe edhe emri i Afërdita Fazlijajt si kandidate e mundshme për kryetare të FFK-së. FFK-ja kohë më parë ndau rrugët me selektoren e deritanishme të Kombëtares së Femrave, e cila hodhi varg akuzash ndaj Agim Ademit.

E kontaktuar nga “Express”, Fazlija tha se ende nuk ka vendosur për kandidim. “Deri më tani prioritetet e mia kanë qenë të lidhura me ekipin kombëtar të femrave. Nuk kam vendosur për të kandiduar apo jo. Të shohim në ditët e javës në vijim. E di që shumë klube, pjesë e madhe e komunitetit të futbollit, janë për ndryshim, për të dalë nga kjo gjendje që ka hyrë futbolli”, tha Fazlija.

Duhet kujtuar se kreu i FFK-së, Agim Ademi, kundërshtarë të fortë i kishte edhe përfaqësuesit e disa klubeve të mëdha. Madje, për një kohë të gjatë. Por, me kalimin e kohës raportet me disa nga ta i ka përmirësuar.

Në zgjedhjet për kryetar të FFK-së duhet të marrin pjesë 59 delegatë. Nënshkrimet e 15 prej tyre janë kusht për kandidim, që do të thotë se nuk pritet të mund të kandidojnë më shumë sesa tre kandidatë. Ndërkohë, thuhet se “lufta” për mbledhje nënshkrimesh ka nisur moti nga shumë anë, ndonëse fillimisht duhet shpallur data e zgjedhjeve e pastaj tu epet afati kohorë kandidatëve për mbledhje nënshkrimesh. 

(Kosova Sot Online)