Zbulohet çmimi që Abramovich e kërkon për shitjen e Chelseat

  • S.A /
  • 02 March 2022 - 12:30
Zbulohet çmimi që Abramovich e kërkon për shitjen e Chelseat

Roman Abramovich është i gatshëm ta shesë klubin e tij, Chelsea.Miliarderi rus në fakt e ka ndërmend t’i shesë të gjitha pronat që i ka në Britaninë e Madhe, ku është shpallur “persona non grata” pasi iu ndalua hyrja dhe jetesa në ishull. E tash, mediat britanike e kanë zbuluar edhe shumën e parave që e kërkon rusi me pasaportë izraelite. “Daily Mail” zbulon se Abramovich i kërkon 3 miliardë funte, respektivisht afro 3,6 miliardë euro për shitjen e klubit londinez. Miliarderi zviceran, Hansjorg Wyss është i interesuar për ta blerë klubin dhe palët janë duke diskutuar për një shit-blerje eventuale. Manjati i medikamenteve është i gatshëm të bëhet pjesë e konsorsiumit me 2 miliard funte të shpenzuara. “Si të gjithë oligarkët tjerë, Abramovich është po ashtu në panik. Ai po mundohet t’i shesë vilat e tij në Angli. Ai gjithashtu dëshiron ta shesë edhe Chelsean sa më shpejt. Unë dhe njerëz të tjerë kemi marrë ofertë të martën për ta blerë Chelsean nga Abramovich”, deklaroi miliarderi zviceran për mediumin “Blick”.

“Më duhet të pres edhe katër ose pesë ditë. Abramovich për momentin po kërkon shumë. Unë jam i gatshëm t’i ofroj 2 miliard euro”, vazhdoi Wyss. “Sot për sot, nuk e dimë saktë çmimin e shitjes. Unë do ta imagjinoja veten duke hyrë në Chelsea me partnerë. Mirëpo, më duhet t’i shikoj mundësitë gjeneralë fillimisht. Nuk do t’i hyj kësaj pune i vetëm, kjo është e sigurt. Nëse e blej Chelsean, më pas do të jemi 6 ose 7 investitorë”, përfundoi ai. Por, Abramovich thuhet se është duke shikuar që ta shesë sa më shpejt të jetë e mundur klubin që e kishte blerë në vitin 2003. Ai po përballet me sanksione nga Britania e Madhe pasi konsiderohet si njeri i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili po mundohet ta pushtojë Ukrainën. Abramovich po mundohet t’i shesë po ashtu edhe pronat e tij të shumta në Londër, të cilat e kapin shifrën e më shume se 1 miliardë eurosh.Kohëve të fundit, ai po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, në tentim për t’i shitur pronat në Britaninë e Madhe. Chelsea ka qenë njëri prej klubeve më të suksesshëm në botë që kur e kishte blerë ai në fillim të shekullit. 

(Kosova Sot Online )