Pas rizgjedhjes së Agim Ademit kryetar, FFK nis procedurat disiplinore ndaj kritikuesve te tij

  • A.P /
  • 12 April 2022 - 17:22
Pas rizgjedhjes së Agim Ademit kryetar, FFK nis procedurat disiplinore ndaj kritikuesve te tij

Pas rizgjedhjes së Agim Ademit si kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës në një Kuvend Zgjedhor mjaft kontrovers, të cilësuar si joligjor dhe jostatutor edhe nga Departamenti i Sportit i MKRS-së, Komisioni i Garave i kësaj federate ka hapur procedura disiplinore ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihut, dhe dy prej zyrtarëve të klubeve nga Superliga e Kosovës.

Bashkë me Salihun, në disiplinore kanë përfunduar edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi dhe drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku

Sipas njoftimit të lëshuar nga FFK, inicimet disiplinore ndaj tre të lartpërmendurve janë të bazuara në xhirime televizive.

Salihu, Zymberi e Dajaku në emisionet sportive ishin deklaruar haptazi kundër Kuvendit Zgjedhor të mbajtur më 6 prill, teksa përfaqësuesit e klubeve të Dritës dhe Drenicës kishin përkrahur Gramoz Vokrrin, i cili nuk ia arriti të futet në garën kundër Ademit.


Njoftimi nga faqja zyrtare e FFK-së:

“Inicime disiplinore:

Ndaj: Përfaqësuesit të lartë ligjor të FFK-së, Eroll Salihu. MOTIVI: Në prononcimin për media shpif, nënçmon, dezinformon dhe diskrediton organet e FFK-së dhe ato të UEFA-s. Sipas xhirime televizive.

Ndaj: Drejtorit sportiv të FC ”Drita” Valon Zymberi. MOTIVI: Në prononcimin për media akuzon, dezinformon dhe ofendon organet e FFK-së. Sipas xhirime televizive.

Ndaj: Drejtorit sportiv të FC ”Drenica”, Taulant Dajaku. MOTIVI: Në prononcimin për media akuzon, dezinformon dhe ofendon organet e FFK-së. Sipas xhirime televizive”. 

(Kosova Sot Online)