Kosova synon ta rikthejë buzëqeshjen sonte

  • S.A /
  • 09 June 2022 - 11:19
Kosova synon ta rikthejë buzëqeshjen sonte

Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte ndeshjen e tretë të Ligës së Kombeve. “Dardanët” do ta presin Irlandën e Veriut në ndeshjen e vlefshme për Grupin 2 të Ligës C. Verdhekaltrit synojnë fitore në duel me veri-irlandezët për ta rikthyer buzëqeshjen pas humbjes dëshpëruese nga Greqia në shtëpi. Vedat Muriqi me shokë kanë ushtruar në ditët e fundit në Prishtinë dhe janë të gatshëm për sfidën e sontme në stadiumin “Fadil Vokrri”. Trajneri Alain Giresse në konferencë për shtyp dje theksoi se “Dardanët” ndodhen në situatë jo të zakonshme, teksa përballen me mungesa të shumta.

Sidoqoftë, ai zotohet se do të mundohet t’i mbulojë këto mungesa dhe ekipi të paraqitet pozitivisht në fushën e blertë. “Ndodhemi në situatë të veçantë. Vlen të përmendet mungesa e dy lojtarëve që u ndëshkuan me karton të kuq. Këta dy lojtarë që i shtohen listës së mungesave dhe atyre që nuk janë grumbulluar, me ç’rast jemi në vështirësi në pozicione të caktuara, pasi lojtarët që mungojnë janë të rëndësishëm në pozitat e tyre. Mirëpo, pa dyshim se në do të tentojmë t’i përshtatemi situatës ku ndodhemi dhe të tregojmë performanca sa më të mira”, u shpreh Giresse. Nga ana tjetër, trajneri i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough e ka vlerësuar lartë ekipin kosovar. Por, selektori i udhëtuesve nuk e ka fshehur synimin për të fituar në duelin e sontëm. “Kosova ka në përbërje shumë lojtarë cilësorë dhe të nivelit të lartë. Unë vërtet jam i impresionuar me ekipin e Giresse, Rashica, Muriqi, Zhegrova e të tjerë janë shumë lojtarë të rrezikshëm. Do të shkojmë në secilën ndeshje për të fituar. E dimë historinë tonë, Liga e Kombeve nuk ka qenë e mirë për ne, në aspektin e rezultateve. Kemi provuar lojtarë të rinj në skuadër. Jemi skuadër e re, po zhvillohemi. Jemi duke e freskuar ekipit. Nuk dihet çfarë mund të ndodh në një ndeshje. Shpresojmë të marrim rezultat pozitiv ndaj Kosovës”, ka thënë ai.

Në dy ndeshjet e para, Kosova i ka grumbulluar 3 pikë pasi e mundi Qipron 2:0 dhe humbi nga Greqia, 0:1.

Kurse, veri-irlandezët e kanë një pikë pasi humbën nga Greqia, 0:1 dhe më pas barazuan me Qipron, 0:0.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Irlandës së Veriut do të fillojë në orën 20:45.

(Kosova Sot Online )