Mane në krizë, senegalezi i jep arsyet e tij

  • S.A /
  • 03 October 2022 - 11:04
Mane në krizë, senegalezi i jep arsyet e tij

Sadio Mane ka nisur ta ndiejë krizën në futbollin gjerman. Sulmuesi afrikan e nisi mirë eksperiencën në Bayern Munich, por kohëve të fundit ka pasur rënie të madhe të formës. Futbollisti i deridjeshëm i Liverpoolit thotë se po has në vështirësi të adaptimit në Bundesligë pasi i kaloi disa vite në futbollin anglez.

Ai megjithatë beson se do të këndellet sapo të përshtatet me futbollin gjerman. Mane e la keq Liverpoolin, me të cilin fitoi gjithçka që është e mundshme, por edhe vetë nuk po mundet pa ish-klubin e tij, me të cilin i kishte realizuar 120 gola në 269 paraqitje.

“Po shkon mirë. Kur lëviz nga një klub në tjetrin, nuk është e lehtë. I kalova tetë vjet të bukur në Angli, gjashtë vjet në Liverpool pasi kisha luajtur dy vjet në Southampton, ndërsa tash jam në një vend të ri. Nuk është e lehtë, sepse gjithçka ndryshon menjëherë: njerëzit, stërvitjet, gjithçka”, deklaroi senegalezi për “UEFA.com”.

“Gjithçka ka ndryshuar, kështu që nuk është e lehtë. Duhet të adaptohem. E dija dhe kjo që erdhi nuk ishte befasi. Është duke ndodhur ashtu siç e kisha imagjinuar. Njerëzit këtu janë mikpritës, ata janë lojtarë të vërtetë. Njerëzit përreth klubit janë të shkëlqyeshëm dhe jam mjaft i lumtur”, përfundoi Mane.

Ai shpreson të zhbllokohet sa më shpejt dhe të mund ta ndihmojë Bayernin në arritjen e objektivave. 

(Kosova Sot Online )