Kjo është policja e Kosovës Teuta Mulliqi e cila akuzohet se e ka keqtrajtuar qytetarin
Për shkak se mbrojtësit e dy zyrtarëve policor, Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi, të akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, avokatët Mahmut Halimi dhe Sabit Rama ishin të angazhuar në seanca të tjera, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka dështuar të mbahet gjykimi i paraparë për këtë të premte.
Gjyqtarja e rastit Dragica Jakovljeviq tha se mbrojtësit e kanë njoftuar gjykatën për pamundësinë e tyre për pjesëmarrje në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, të pranishëm në sallën e gjykimit ishte prokurori Bogdan Spadijer, të akuzuarit Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi, si dhe i dëmtuari N.B me mbrojtësin e tij, avokatin Arben Jashari.
Meqenëse në seancën e sotme munguan mbrojtësit e të akuzuarve, gjyqtarja Jakovljeviq konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së sotme.
Ndërsa, palët u njoftuan se seanca e radhës do të caktohet me shkrim.
Mbrojtësi i të dëmtuarit N.B, avokati Arben Jashari kërkoi nga gjyqtarja e rastit që sa më shpejtë të caktojë datën e seancës së radhës, pasi që kjo lëndë është zvarritur mjaftë.
Tutje, gjyqtarja Jakovljeviq tha se do të marrë parasysh kërkesën, duke shtuar se seancën në këtë lëndë e ka caktuar për çdo muaj, por fatkeqësisht sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet për të proceduar tutje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 20 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Rrustem Mehmetit dhe Teuta Mulliqit, sepse më 24 gusht 2020 në zyrën e Stacionit Policor në Mitrovicë – Jug, me keqpërdorim të detyrës ose autorizimit kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe e kanë ofenduar rëndë dinjitetin e personit tjetër, të dëmtuarit N.B.
Sipas aktakuzës, me rastin e marrjes në pyetje të të dëmtuarit N.B në zyrën e Teuta Mulliqit, pasi që i njëjti kishte kërkuar qe t’i sqarohet se për çfarë arsye është ftuar dhe duke iu thënë që nuk dëshiron të jap deklaratë pa prezencën e avokatit, nuk iu kanë lexuar të drejtat e tij, ndërsa të akuzuarit kanë filluar t’i bëjnë presion dhe dhunë fizike që të jap deklaratë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Rrustem i ka thënë: “cilin avokat po e do, Tomën apo Rrecaj, çfarë filozofi je ti, mësuesit si ti na kanë sjellë këtu ku jemi tani”. Ndërsa, përreth një orë nuk iu është siguruar avokati.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, i pandehuri Rrustem Mehmeti dy herë e kishte goditur në pjesën e qafës pas kokës, duke kryer dhunë fizike, ndërsa e pandehura Teuta me këtë rast në mënyrë ironike kishte qeshur.
Tutje, thuhet se polici Rrustem ia kishte vendosur shufrën tek goja dhe i kishte thënë që do t’ia thyej dhëmbët apo eshtrat, ndërsa tërë ngjarjen i dëmtuari N.B e ka incizuar me telefon mobil.
Prandaj, me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 par. 1 i KPRK-së, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
(Kosova Sot Online)