Tifozët e Lazios e kërkojnë rikthimin e Muriqit

  • S.A /
  • 20 October 2022 - 11:25
Tifozët e Lazios e kërkojnë rikthimin e Muriqit

Lazio e ka marrë një lajm të keq. Sulmuesi kryesor, Ciro Immobile ua ka “këputur këmbët” tifozëve pasi e pësoi një lëndim, më saktësisht një tërheqje muskulore, e cila do ta lë atë jashtë fushës së blertë për së paku 40 ditë.

E në postimin për lëndimin e përfaqësuesit italian, vërehen disa komente të papritura të tifozëve lazialë.

Disa prej tyre e kanë kërkuar rikthimin e Vedat Muriqit në kryeqytetin italian, shkruan mediumi italian “lalaziosiamonoi”.

“Urime bomber”, “Kthehu Vedat”, “Na mungon Pirati”, etj., ishin disa prej komenteve të tifozëve “Biancocelesti” në rrjetet sociale, duke e kërkuar rikthimin e prizrenasit në Lazio, përkundër eksperiencës së tij dëshpëruese për një vit e gjysmë në “Olimpico”.

Shpërthimi i 28 vjeçarit në Mallorca ka bërë që tifozët e Lazios ta duan atë në skuadrën e zemrës.

Megjithatë, një gjë e tillë do të jetë e vështirë të ndodhë pasi klubi ishullor spanjoll e ka blerë kartonin e ish-futbollistit të Rizesporit dhe Fenerbahçes.

(Kosova Sot Online )