Legjenda Milaim Rama: “Edhe unë do ta bëja shqiponjën dykrenore”

  • S.A /
  • 21 February 2023 - 13:45
Legjenda Milaim Rama: “Edhe unë do ta bëja shqiponjën dykrenore”

Nga banka rezervë në ligën e pestë tek Kombëtarja zvicerane.

Milaim Rama e ka dhënë një intervistë të gjatë dhe mjaft interesante për mediumin e madh zviceran “Blick”, të cilit ia ka treguar përrallën e tij futbollistike, duke filluar nga lufta në vendin e tij – Kosovë, tek ambientimi i tij në Zvicër, sukseset atje e deri tek shqiponja dykrenore, të cilën thotë se do ta formonte me duar edhe ai, përcjell “Kosova Sot Online ". 

Zotëri Rama, si ndiheni si 11 vjeçar?

Milaim Rama: Kur mendoj për gjunjët e mi, ndihem shumë më i vjetër. Në realitet, jam 46 vjeç. Por, për faktin se jam lindur më 29 shkurt, kam mundur ta festoja ditëlindjen time të vërtetë vetëm 11 herë.

Çfarë ëndrrash kishte dikur 11 vjeçari Milaim?

Milaim Rama: Në atë kohë, mendoja se do ta kaloja krejt jetën time në vendin tim të origjinës. Nuk e kam menduar kurrë që një ditë do të bëhesha zviceran dhe një futbollist profesionist.

Si je rritur?

Milaim Rama: Në një fshat të vogël të quajtur Zhiti, i cili përbehej nga disa qindra shtëpi. Krejt të afërmit e mi jetonin aty. Kur kthehesha në shtëpi nga shkolla luaja futboll ose i ruaja buajt.

A kishte fushë futbolli në fshat?

Milaim Rama: Po, në një kodër të vogël mbi fshat. Por, vendi ishte i vogël, me kushte të këqija, kishte veç tokë me dhe, nganjëherë mungonin edhe portat.

Kur ishte tre vjeç, babai yt Shaqiri kishte filluar të punonte si punëtor sezonal në Zvicër. Sa të ka munguar në atë kohë?

Milaim Rama: Shumë, por ajo epokë ishte e tillë për shumë njerëz. Nuk kishte punë në vendin tonë dhe kjo ishte arsyeja që shumë baballarë punonin në Gjermani apo në Zvicër. Vëllezërit e mi dhe unë ishim mjaft të trishtuar kur babai ynë rikthehej në Zvicër pas pushimeve. Kjo është arsyeja që nëna ime, Zejnepe është dashur ta bënte edhe rolin e babait. Mënyra se si ia ka dalë ajo më bën mjaft krenar edhe sot.

A e kishe një idhull të futbollit kur ishe fëmijë?

Milaim Rama: Marco van Basten i Milanit dhe Fadil Vokrri i FC Prishtina. Në atë kohë, Prishtina luante në ligën e fortë jugosllave. Për ne fëmijët ishte gjithmonë një moment kulmor kur shkonim për ta parë një ndeshje të Prishtinës në stadium dhe që mund ta shihnim të admiruarin tonë, sulmuesin Vokrri në një stadium të stërmbushur dhe të elektrizuar. Në atë kohë filluan trazirat në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Si e kujtoni atë kohë?

Milaim Rama: Në realitet, nuk më pëlqen shumë të flas sepse në atë kohë kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. Në një pikë, ne shqiptarëve të Kosovës na është ndaluar shkuarja në shkollë. Prandaj, mësuam dhe u shkolluam në fshehtësi, në bodrume apo edhe në xhami. Kishte gjithnjë e më shumë kontrolle. Edhe pse në atë kohë nuk kuptonim shumë gjëra, ishim të vetëdijshëm se diçka po ndodhte dhe që lufta do të mundë të arrinte edhe në Kosovë.

Kur ishe 17 vjeç, familja e jote vendosi të transferohej në Zvicër. Sa ishte e vështirë kjo për ty?

Milam Rama: E para dhe mbi të gjitha, isha i lumtur që mu dha mundësia të vija tek babai im në Zvicër dhe që krejt familja më në fund ishte ribashkuar. Në të njëjtën kohë, ishte e vështirë të largohesha nga fshati, nga pjesa tjetër e familjes dhe nga miqtë e mi.

A e kujton ende ditën tënde të parë në Zvicër?

Milaim Rama: Ishte maj i vitit 1993. Ne zbritëm nga aeroplani dhe gjithçka ishte aq e bukur dhe aq e pastër. Më pas, e morëm trenin për Interlaken, ku babai im jetonte dhe punonte në ndërtimtari. Sapo shikova nga dritarja, i pashë peizazhet e bukura dhe fushat e bukura të futbollit, majtas dhe djathtas.

Duke shikuar prapa, çka do të ndodhte nëse familja e jote nuk do të vinte në Zvicër?

Milaim Rama: Në fshatin tonë nuk kishte mizori, por gjatë luftës shumë njerëz të pafajshëm kishin përfunduar në burgje. Nuk ishte e bukur ajo që e kishin përjetuar njerëzit tanë në atë kohë. Unë vetë e kam provuar se si nuk arrinim ta merrnim lidhjen telefonike për të folur me gjyshërit dhe nuk e dija nëse ishin ende gjallë.

Në atë kohë, njerëzit nga Ballkani nuk ishin shumë të mirëpritur nga shumë zviceranë. Shumë prej tyre konsideroheshin si kriminelë, nuk kishte përshtypje të mirë për ta dhe quheshin “Jugos”.

Milaim Rama: Dua mbi të gjitha ta nënvizoj se i jemi mirënjohës dhe falënderues Zvicrës që na ka pranuar. Por, po, kishte edhe ofendime, që na bënin të ndiheshim keq. Fatmirësisht, paragjykimet janë minimizuar me kalimin e viteve. Dhe, është e qartë se futbolli më ndihmoi personalisht në integrim.

Si u fute në futbollin zviceran?

Milaim Rama: Ishte viti 1994. Në një pikë e kam zbuluar fushën e futbollit Lanzenen në Interaken. Një vend i bukur, lëndinë e gjelbër. Më pas mendova: dua të vrapoj edhe këtu. Më pas, kam shkuar në klub me xhaxhain tim dhe i pyeta nëse mund të luaja.

Po supozoj se ju kanë marrë me një puthje në dorë?

Milaim Rama: (qesh) Jo! Trajneri i skuadrës, i cili luante në divizionin e dytë, më tha që nuk kishte më vend. Të njëjtën gjë ma tha edhe trajneri tjetër në tentimin e dytë. Por, skuadra e tretë, e cila luante në ligën e pestë, më pranoi, më mori. Kështu që, fillova gjithçka prej aty. Në fillim i kisha problemet fillestare dhe isha rregullisht në bankinë pasi nuk kisha dëgjuar kurrë më parë të flitej për taktikë. Gjithashtu, kisha luajtur në një fushë shumë më të vogël në Kosovë, për më tepër, gjashtë kundër gjashtë.

Por, tri vjet më pas luajte në klubin e madh, FC Thun. Si ndodhi kjo?

Milaim Rama: Kishte persona që besonin në mua dhe gjithmonë kam qenë mjaft ambicioz dhe dëshiroja të arrija diçka. Pas një viti e gjysmë në ligën e pestë, arrita në ligën e dytë e më pas edhe në atë të parë. Dhe, në një pikë, FC Thun më thirri për prova, me kërkesë ta trajnerit Andy Egli. E binda atë dhe kalova në FC Thun në vitin 1997.

Por, ti nuk ishe një futbollist profesionist. Çka ke punuar?

Milaim Rama: Kam bërë shumë në atë periudhë. Një herë kam punuar si shitës picash, një herë kam operuar në një restorant. Më pas, kam punuar si magazinier.

Përralla e futbollit nisi me të vërtet në sezonin 2001/02.

Milaim Rama: Në atë kohë, Hanspeter Latour ishte trajner yni. Pasi i kisha shënuar 15 gola në vjeshtë, shkova i thash se do ta lija punën time të magazinierit sepse dëshiroja të ushtroja nga dy herë në ditë. Ai ishte kategorikisht kundër, por unë fitova. Dëshiroja të veproja kështu sepse dëshiroja të përmirësohesha gjithnjë e më shumë.

Sa ishte i rëndësishëm Latour në karrierën tënde?

Milaim Rama: Shumë i rëndësishëm, pasi ishte shumë human. Një herë erdhi tek unë dhe më tha: “Milaim, në Interlaken janë disa karroca që i shëtisin turistët nëpër qytet. A e ke bërë këtë ndonjëherë me gruan tënde?” Iu përgjigja: “Jo, fatkeqësisht, s’kam pasur mundësi”. Ai më premtoi: “Nëse i shënon dy gola në ndeshjen promocionale me Winterthurin, do ta bësh një xhiro me këtë karrocë”.

A i shënove dy gola në atë rast?

Milaim Rama: Po, të nesërmen Latour erdhi tek unë dhe mi dha dy bileta për xhiro me karricë. Një gjest i vogël që tregon shumë për të.

Ke shënuar gola në ligën elitare…

Milaim Rama: Kur e shikoj sot listën e golashënuesve të sezonit 2002/03, është çmenduri: 1. Richard Nunez, 27 gola, 2. Christian Gimenez e Milaim Rama, 20 gola secili. Pa FC Thun nuk do të ishte Milaim Rama, por edhe pa Ramën nuk do të ishte një histori e suksesit e FC Thunit.

Sidoqoftë, në vitin 2004 u largove nga klubi për të shkuar në Gjermani. Përse?

Milaim Rama: Nuk bëhej fjalë për para, siç thuhej shpesh, por për Armin Veg. Në atë epokë ishte trajner i FC Augsburg dhe më donte me të vërtet. Nënshkrova kontratë katërvjeçare sepse isha i bindur në projektin dhe në objektivat ambicioze të klubit.

A ishte një gabim?

Milaim Rama: Jo, por ishte gabim që pas një viti, i shënuar edhe nga lëndimet, e shkëputa kontratën dhe u ktheva në Zvicër. Një vit më pas, ky klub ishte ngjitur në Bundesliga 2.

Megjithatë, nuk kalove në FC Thun, i cili po luante në Ligën e Kampionëve, por luajte në Schaffhausen.

Milaim Rama: Në atë kohë nuk arrita marrëveshje me Thunin, kështu që luajta për një vit në Schaffhausen dhe më pas u riktheva në Thun.

Në vitin 2012, karriera e jote u mbyll në Thun. Me një “luftë”!

Milaim Rama: E kam pasur një diskutim të vogël me trajnerin Bernard Challandes dhe më pas jam ulur për një kohë në tribunë. Në atë kohë nuk funksionuan mirë gjërat mes kryesisë, trajnerit dhe Milaimit. Kjo është arsyeja se përse nuk qëndrova në klub pas përfundimit të karrierës sime.

Të flasim për diçka më të dashur. Ishte shqiptari i parë i lindur në Kosovë që ke luajtur në Kombëtaren zvicerane.

Milaim Rama: Ishte e papërshkrueshme dhe e vështirë ta përshkruash me fjalë edhe sot. Është gjëja më e bukur që e kam arritur. Më është mundësuar që ta vishja fanellën e Kombëtares shtatë herë. Shumë lojtarë e ëndërronin, por unë ia dola dhe e provova.

Bildnummer: 00915363 Datum: 10.09.2003 Copyright: imago/Ulmer Milaim Rama (Schweiz) am Ball; Nationalmannschaft, Nationalteam, Nationaltrikot, hoch, Freisteller, dribbeln, Dribbling, Antritt Europameisterschaftsqualifikation 2003, Qualifikation, Länderspiel, Vdig Moskau Dynamik, Fußball Länderspiel Herren Mannschaft Rußland Einzelbild Aktion Personen

Në vitin 2004 je bërë edhe lojtari i parë shqiptar nga Kosova që merr pjesë në një Kampionat Evropian.

Milaim Rama: Krejt Kosova ishte krenare me mua në atë kohë. Ishte si të ishe në një përrallë. Një djalosh nga Kosova ka ardhur në Zvicër, është bërë lojtar i Kombëtares, ka luajtur disa minuta në Evropian dhe ka kaluar në histori. Thjesht, e jashtëzakonshme, përcjell “Kosova Sot Online".

Në vitin 2018, pasardhësit tu në Kombëtare, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, shkaktuan polemika me shqiponjën me dy krerë. A mund ta kuptosh që kjo i mërziti shumë zviceranë?

Milaim Rama: Jo ishte vetëm një gjest, asgjë më shumë. Edhe unë do ta bëja shqiponjën dykrenore.

Ajo që bie në sy, vajza e jote, Alketa, 19 vjeçare, ka shkuar në drejtim ekzaktësisht të kundërt në krahasim me ty. Milaim Rama: E saktë. Alketa është lindur këtu, aktualisht luan në ekipin e dytë të Zurichut në ligën e dytë dhe luan për Kombëtaren e Kosovës.

Si ka ndodhur kështu?

Milaim Rama: Kur ishte 17 vjeçe, është ftuar nga Federata kosovare e futbollit. Në një pikë, më tha: “Baba, ti ke luajtur për Zvicrën dhe tash do të luaj për Kosovën. Shpresoj që t’i jap diçka vendit tim me sukseset e mia”. Jam mjaft krenar që një anëtar i familjes sonë tash e përfaqëson vendin tonë. Dhe, a e di çka është gjëja më e mirë?

JO.

Milaim Rama: Ajo tash i luan ndeshjet në shtëpi me Kombëtaren në stadiumin e Prishtinës, ku unë isha spektator si fëmijë.

Ke jetuar në Zvicër qe gati 30 vjet. Ku e sheh të ardhmen tënde?

Milaim Rama: Më pëlqen mjaft këtu, por mund ta imagjinoj veten duke jetuar prapë për disa vite aty ku jam rritur. Ke ende shumë vite përpara, je veç 11 vjeç.

Milaim Rama: (qesh) Ekzakt, jam ende një adoleshent…

(Kosova Sot Online  )