Jose Mourinho e ka humbur apelimin

  • A.P /
  • 10 March 2023 - 18:28
Jose Mourinho e ka humbur apelimin

Jose Mourinho e ka humbur apelimin ndaj një dënimi me dy ndeshje për shkak të përplasjes me gjyqtarin e katërt Marco Serra, kështu që ai nuk do të jetë në stolin e trajnerit të Romës për dy ndeshjet e ardhshme në Serie A.

Incidenti ndodhi më 28 shkurt, në humbjen 2-1 të romakëve ndaj Cremoneses, kur Serra dhe portugezi patën një diskutim të shkurtër në fushë, duke shkaktuar një reagim të ashpër të trajnerit.

Mourinho këmbënguli se ai ishte fyer nga Serra dhe se reagimi i tij ishte në proporcion me provokimin nga një anëtar i ekipit të gjyqtarëve.

Dënimi i tij me dy ndeshje u pezullua në pritje të hetimeve të mëtejshme, kështu që ai ishte në stol në fitoren 1-0 të fundjavës së kaluar ndaj Juventusit .

Megjithatë, sot u konfirmua dënimi me suspendim prej dy ndeshjeve.

Kësisoj, 60-vjeçari nuk do të mund të udhëheq Romën në dy ndeshjet e ardhshme; ndaj Sassuolos (12 mars) dhe ndaj rivalit lokal, Lazios, (19 mars).

Jose Mourinho është dënuar edhe me 10 mijë euro gjithashtu.

Dje u raportua se Marco Serra do të përfundojë në Komisionin Disiplinor për thyerjen e rregullave të etikës në incidentin në fjalë, por kjo ende nuk është konfirmuar.

(Kosova Sot Online)