Mourinho me valixhe në dorë

  • A.P /
  • 09 May 2023 - 18:50
Mourinho me valixhe në dorë

E ardhmja e José Mourinhos në krye të pankinës së Romës nuk është më e sigurt. Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme se tekniku portugez është në negociata me PSG dhe tundohet nga një eksperiencë e re në krye të skuadrës parisienë.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, palët nuk kanë arritur akoma marrëveshjen, madje lajmet e fundit për një transferim të “Special One” në Francë mund të jenë edhe një formë presioni për pronarin e Romës, Friedkin, që të plotësojë kërkesat e portugezit në merkato.

Tensioni ekziston dhe Mourinhos nuk i janë plotësuar kërkesat për përforcimin e organikës, që i ka bërë të ditura që para katër muajsh drejtuesve të Romës. Në këtë situatë edhe drejtuesit e klubit verdhekuq nuk po qëndrojnë në pritje, por kanë filluar të mendojnë për pasardhësin e portugezit.

Antonio Conte, Roberto De Zerbi, Thiago Motta dhe Ruben Amorim janë katër emrat që spikasin në listën e drejtuesve të Romës për të drejtuar skuadrën në rast të një largimi të mundshëm të Mourinhos.

(Kosova Sot Online)