Mourinho përfundon në disiplinore të UEFA-s

  • A.P /
  • 02 June 2023 - 17:16
Mourinho përfundon në disiplinore të UEFA-s

UEFA ka hapur zyrtarisht procedurat disiplinore ndaj Jose Mourinhos për fyerjen e gjyqtarit, Anthony Taylor, pas humbjes në finalen e Ligës së Evropës ndaj Sevillas, që u fitua nga spanjollët.

Një deklaratë nga Komiteti Disiplinor i UEFA-s sot përshkroi një sërë akuzash kundër të dy klubeve pas një finale “të zjarrtë” në “Puskas Arena” të Budapestit.

Të dy klubet u akuzuan për hedhjen e objekteve dhe ndezjen e fishekzjarreve nga tifozët e tyre, plus për sjellje të pahijshme të ekipit.

Sevilla u akuzua gjithashtu për “pushtimin” e fushës së lojës, ndërsa Roma u akuzua për akte dëmtimi dhe shqetësime të turmës.

Konkretisht, vetëm Mourinho u akuzua për “gjuhë fyese/ofenduese ndaj një zyrtari të ndeshjes”.

Ai u kap nga kamera duke drejtuar fyerje ndaj gjyqtarit Taylor në parking, pas ndeshjes finale.

Kjo lloj sjelljeje, si dhe përmendjet e shumta të arbitrit në intervista dhe në konferencën për shtyp, ndihmuan të krijohej një atmosferë që të nesërmen panë tifozët e Romës të akuzonin Taylorin dhe familjen e tij në aeroportin e Budapestit. Madje, një tifoz u pa edhe duke hedhur karrige.

Sipas “Sky Sport Italia”, dy tifozë janë arrestuar për ato trazira, njëri është liruar dhe tjetri mbetet në paraburgim.


(Kosova Sot Online)