Shqipëria përfundon në vazon e dytë para shortit të fazës së grupeve të Euro 2024

  • S.A /
  • 22 November 2023 - 10:51
Shqipëria përfundon në vazon e dytë para shortit të fazës së grupeve të Euro 2024

Kombëtarja shqiptare ka përfunduar në vazon e dytë në Kampionatin Evropian të futbollit, transmeton "Kosova Sot Online".

21 Kombëtare tashmë e kanë siguruar kualifikimin, ndërsa kanë mbetur edhe tri vende të lira për t’u kompletuar Evropiani që do të mbahet në Gjermani në verën e vitit të ardhshëm.

Kuqezinjtë e siguruan kualifikimin e dytë brenda tetë vjetësh pas një kampanje fantastike në eliminatoret e Euro 2024.

E UEFA tash i ka vendosur Kombëtaret në katër vazo, derisa “Shqiponjat” e shohin veten në atë të dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë.

Shorti i fazës së grupeve të Evropianit do të hidhet më 2 dhjetor nga ora 18:00 në Hamburg të Gjermanisë.

Shqipëria shpreson në një short sa më të favorshëm dhe synim i Kuqezinjve është që ta kalojnë fazën e grupeve.

Në Euro 2016 ekipi i atëhershëm i Gianni de Biasit nuk kishte arritur ta kalonte fazën e grupeve, por megjithatë e kishte shijuar fitoren, në pjesëmarrjen e parë ndonjëherë në një Kampionat Evropian.

(Kosova Sot Online )