E poshtëroi Sanchesin, Mourinho i kërkon falje portugezit dhe tregon të ardhmen e tij

  • S.A /
  • 19 December 2023 - 11:09
E poshtëroi Sanchesin, Mourinho i kërkon falje portugezit dhe tregon të ardhmen e tij

Renato Sanches është poshtëruar të dielën në mesditë, ku ka qëndruar në fushë vetëm 18 minuta dhe është larguar. Mesfushori portugez i Romës u fut në lojë në minutën e 46-të, derisa vetëm 18 minuta më vonë trajneri Jose Mourinho vendosi ta largonte nga loja dhe kjo solli habinë e Renato Sanchesit, transmeton "Kosova Sot Online". 

Gjithsesi Special One ka thënë se e ka bërë këtë gjë për të mirën e skuadrës dhe i ka kërkuar falje publike mesfushorit.

“I kërkoj falje publike Renato Sanchesit, ai nuk e ka merituar këtë. Këtë gjë e kam bërë vetëm tre ose katër herë në karrierën time. Nuk kishte të bënte asgjë me të, por isha i detyruar të bëja ndryshime për të rikthyer rezultatin”, deklaroi Mourinho.

Tutje trajneri portugez ka theksuar se dëshiron të mbetet te Roma duke dhënë një sinjal të fuqishëm përkundër se kontrata e tij skadon në fund të sezonit.

“Tani jam në Romë dhe po argëtohem shumë. Roma është një klub me ambicie dhe më pëlqen shumë të jem këtu. Jam i lumtur, por jam në fund të kontratës sime, ndërsa do të vendosë klubi për vazhdimësinë ose jo të bashkëpunimit”.

“Tani për tani po fokusohem vetëm tek e tashmja dhe po shijoj këto momente sa më shumë që të jetë e mundur”.

“Është një klub shumë i bukur me shumë njerëz të mirë, ata nuk janë lojtarët më të mirë në botë, por janë njerëz të mirë. Tifozët janë fantastikë, qyteti është befasues, jam shumë i lumtur, e përsëris”.

“Dëshira ime është të qëndroj këtu dhe të nis një projekt për rritjen e futbollistëve të rinj, tani klubi do të vendos”, deklaroi Mourinho.

(Kosova Sot Online )