Brazili ‘i vë syrin’ Mourinhos

  • A.P /
  • 04 January 2024 - 17:21
Brazili ‘i vë syrin’ Mourinhos

Me Carlo Ancelottin që vendosi të rinovojë bashkëpunimin me Realin e Madridit, Federata Braziliane e Futbollit ka kthyer sytë nga një tjetër emër i madh i trajningut, për t’i besuar drejtimin e skuadrës 5 herë kampione bote.

Bëhet fjalë për Jose Mourinhon, që është në vitin e fundit të kontratës me Romën dhe deri tani nuk ka pasur asnjë negociatë për rinovimin e bashkëpunimit.

Federata Braziliane ka kontaktuar menaxherin e Mourinhos, Jorge Mendes, për t’i kërkuar informacione mbi mundësinë e firmës me portugezin, që gjithsesi nuk duket fort i bindur.

Kjo pasi situata te Brazili nuk është aspak e mirë për momentin, me presidentin e federatës që akuzohet për manipulim zgjedhjesh dhe skuadrën që renditet e pesta dhe rrezikon të mbetet jashtë Kupës së Botës në 2026-ën.

Për më tepër, portugezi pret me interes edhe zhvillimet te Roma, aty ku patrioti i tij Thiago Pinto pritet të shkarkohet dhe në këtë mënyrë, mund të forcohen edhe më shumë pozitat e Mourinhos në klub.

Ky duket se është edhe kushti i tij për të vazhduar bashkëpunimin me Romën, pra një rol trajner-menaxher, që bën vetë edhe merkaton.

(Kosova Sot Online)