Xavi nuk e ndryshon vendimin e tij edhe nëse e fiton Championsin

  • S.A /
  • 13 March 2024 - 11:01
Xavi nuk e ndryshon vendimin e tij edhe nëse e fiton Championsin

Xavi Hernandez nuk e ka ndërmend ta ndryshojë mendjen. Trajneri aktual i Barcelonës e konfirmoi edhe njëherë vendimin e tij për t’u larguar nga gjiganti katalunas në fund të këtij sezoni, transmeton "Kosova Sot Online".

Drejtuesit e klubit në javët e fundit janë munduar ta bindin legjendën e klubit që të qëndrojë në Camp Nou përkundër sezonit dëshpërues që po e kalon ekipi i tij.

Por, Xavi, i cili me Barçën u shpall kampion i Spanjës në edicionin e kaluar, nuk e ka ndërmend të ndryshojë pozicion dhe qëndrim.

“Ju vazhdoni të më pyesni nëse do të rri këtu nëse do ta fitonim Ligën e Kampionëve. Jo, nuk do të qëndroj në Barcelonë në sezonin e ardhshëm”, deklaroi fillimisht Xavi pas ndeshjes së mbrëmshme.

“E ardhmja ime nuk do të ndryshojë, përgjigja ime nuk do të ndryshojë. Do të largohem nga Barcelona në fund të sezonit. Do ta shijoj Championsin në sezonin e ardhshëm, por vetëm si tifoz”, përfundoi trajneri katalunas.

Barcelona e siguroi mbrëmë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi e eliminoi Napolin e Amir Rrahmanit, të cilin e mposhti me rezultat 3:1 në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales, derisa loja e parë në Itali kishte përfunduar baras, 1:1. 

(Kosova Sot Online )