Roma jep lajmin e mirë

  • A.P /
  • 15 April 2024 - 20:25
Roma jep lajmin e mirë

AS Roma ka dhënë një përditësim për gjendjen shëndetësore të Evan Ndickas, pas kolapsit të tij në ndeshjen e së dielës ndaj Udineses.

Qendërmbrojtësi ngjalli frikë dhe shqetësim në minutën e 72-të të ndeshjes, kur ai ra në tokë dhe u largua me barelë nga fusha.

Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku testet fillestare konfirmuan se ai nuk kishte pësuar sulm në zemër.

Ndicka u mbajt në spital gjatë natës për analiza dhe vëzhgime të mëtejshme.

Klubi i Romës ka dhënë një njoftim lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, duke konfirmuar se 24-vjeçari është liruar nga spitali dhe se nuk kishte asnjë problem kardiak.

Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë tani do t’i nënshtrohet testeve shtesë te klubi romak.

Kujtojmë se minutat e mbetur nga sfida mes Udineses e Romës do të zhvillohen një ditë tjetër, që ka mbetur për t’u konfirmuar. Rezultati deri te momenti i rastit ishte 1:1. 


(Kosova Sot Online)