Sylvinho: Ne e meritonim fitoren

  • A.P /
  • 19 June 2024 - 19:19
Sylvinho: Ne e meritonim fitoren

Në konferencën për shtypin pas ndeshjes Kroaci-Shqipëria 2-2, që solli pikën e parë të kuqezinjve në grupin B të Euro 2024, trajneri Sylvinho tha:

“Kam biseduar me FSHF-në: ne duam të kënaqemi në evenimente të tilla. Dua t’i premtoj popullit shqiptar që do të luftojmë në çdo moment të lojës, për çdo top dhe çdo pikë. Sot meritonim fitoren. Jam krenar me lojtarët. Jam krenar edhe për faktin që populli shqiptar ka festuar sot”, tha ai fillimisht.

Tutje, ai foli edhe për rezultatin e ndeshjes dhe për golin e Gjasulës.

“Është shumë e vështirë kur analizon ndeshjen dhe sheh vetëm rezultatin. Nëse Gjasula nuk do të shënonte, ne do të ishim shumë të trishtuar. Ndërkohë që Kroacia do të cilësohej e mrekullueshme për dy golat për dy golat”, shtoi ai.


Në vazhdim, ai komentoi edhe ndeshjen e Kroacisë ndaj Spanjës, duke e krahasuar me atë të Shqipërisë.

“Kroacia nuk luajti keq ndaj Spanjës, por spanjollët shënuan gola brenda pak minutave. Duhet parë në tërësi performanca e një skuadre. Tentuam të mbroheshim mirë. Kemi bërë lojë të mirë kundër një skuadre të vështirë dhe lojtarëve të jashtëzakonshëm. Kroacia ka tërë respektin tim”, u shpreh Sylvinho.

(Kosova Sot Online)