
FIFA është duke e shqyrtuar modifikimin e formatit të Botërorit të Klubeve

FIFA duket se është duke e shqyrtuar seriozisht modifikimin e formatit të Botërorit të Klubeve duke nisur nga viti 2029.
Sipas mediumit të njohur britanik “The Guardian”, mundësitë në tavolinë janë që të organizohet kompeticioni çdo dy vjet, e jo siç është vendosur më parë që kjo garë të mbahet çdo katër vjet.
Një propozim që iu përgjigjet presioneve të disa top klubeve evropiane, mes tyre Real Madrid, Barcelona, Liverpool e Manchester United, të cilat kanë shprehur dëshirë që ta shohin këtë turne me më shumë vazhdimësi në kalendarin ndërkombëtar.
Për t’i rritur apetitet e kësaj ideje janë edhe të hyrat milionere të gjeneruara nga kjo garë.
Mjafton ta mendojmë se Chelsea, triumfuese e edicionit të fundit pas fitores 3:0 ndaj PSG-së, i ka inkasuar rreth 98 milionë euro shpërblime.
Nuk është befasuese që FIFA po e shqyrton edhe mundësinë e ndryshimit të formatit: nga 32 skuadra aktuale të kalojnë në 48, me modelin e Botërorit të Kombëtareve, me objektivin që ta përfshijë një numër sa më të madh të klubeve.
Por, nuk mungojnë as kundërshtimet pasi FIFPRO, World Leagues Forum dhe disa liga e kanë shprehur brengosjen e tyre për impaktin e kalendarit dhe për shëndetin e lojtarëve, të cilët janë duke u përballur me shumë ndeshje brenda një viti.
Edhe UEFA është treguar skeptike, kurse Premierliga ka kërkuar konfrontim direkt për t’i evituar vendimet e njëanshme.
Për momentin nuk është paraparë që ky turne të mbahet në vitin 2027, por mundësia e dy edicioneve të afërta, 2029 e 2031 po merr gjithnjë e më shumë formë.
Në tavolinë është edhe mundësia e eliminimit të limitit prej dy klubeve nga një shtet, për të garantuar më shumë pjesëmarrje të fuqisë së futbollit evropian.
(Kosova Sot Online)