
Flick bëhet realist teksa e komenton humbjen e Barçës nga PSG-ja

Barcelona doli nga fusha e mposhtur nga Paris Saint-Germaini në xhiron e dytë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve me rezultat 1:2, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Montjuic.
Për ta vendosur lojën u përkujdes Gonçalo Ramos, i cili shënoi në minutat shtesë, duke ia siguruar ekipit parisien një fitore të vlefshme dhe prestigjioze.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i “Blaugrana”, Hansi Flick e ka pranuar se kundërshtari ishte superior.
“Në pjesën e parë kemi luajtur më mirë, por në vazhdim ishim të lodhur dhe PSG-ja e mori kontrollin e lojës. Është një skuadër e fortë, e mbushur me lojtarë të shpejt dhe ata e bënë një lojë të madhe. Nuk ishim në nivelin tonë më të mirë dhe kundër rivalëve të tillë duhet të jesh në atë nivel. E kanë merituar fitoren dhe këtë duhet ta pranojmë”, u shpreh trajneri gjerman.
Ai më pas i nënvizoi limitet fizike të lojtarëve të tij.
“Disa lojtarë ishin të lodhur, por tek rezultati 1:1 duhet të dish të mbrohesh. Na mungoi kohezioni, ndonjëherë është e nevojshme të sulmosh dhe të mbrohesh njëkohësisht. Nuk ishim në nivel të PSG-së, por besoj në skuadrën time: do të kthemi dhe të jemi të tillë”, përfundoi Flick, i cili nuk mundi të llogariste në lojtarët si Ter Stegen Joan Garcia, Gavi e Raphinha.
Por, edhe PSG-ja kishte mungesa të mëdha si Ousmane Dembélé, Desiré Doué, Kvicha Kvaratskhelia, Marquinhos e João Neves.
(Kosova Sot Online)