
Kur do t’i rikthehet Pogba futbollit?

Paul Pogba mund të bëjë rikthimin e tij të shumëpritur në futbollin e skuadrës së parë kundër një ekipi anglez në Ligën e Kampionëve, ka thënë trajneri i tij.
Pogba, 32 vjeç, nënshkroi me Monacon në qershor, por ende nuk ka luajtur për ta, pasi klubi po e rikthen gradualisht në lojë pas një ndalimi 18-mujor për doping.
Monaco e ka përfshirë në një plan rikuperimi të ngadaltë, ndërsa vetë Pogba ka deklaruar: “Nuk dua të kthehem nëse nuk jam plotësisht vetvetja. Njerëzit duan të shohin Paul Pogban e vërtetë.”
Trajneri Adi Hutter nuk është plotësisht i sigurt se kur do të rikthehet ai – mund të jetë kundër Angers më 18 tetor, ose në ndeshjen e tyre të ardhshme në Ligën e Kampionëve.
Dhe ndodh që ajo ndeshje evropiane, e planifikuar për 22 tetor, është kundër Tottenham Hotspur.
Ai ka një bilanc të mirë kundër Tottenhamit, pasi i ka përballur nëntë herë me Manchester Unitedin: gjashtë fitore, një barazim dhe tre humbje.
Në një skuadër të Monacos që e vuri në vështirësi Manchester Cityn me barazimin 2-2 të së mërkurës, Pogba mund të shkaktojë probleme edhe për londinezët e veriut.
Hutter tha: “Ai po stërvitet gjithnjë e më shumë me skuadrën. Synimi ynë ishte që ndoshta të ishte në listën e ndeshjes kundër Nice, por është pak herët. Kundër Angers shpresoj të jetë pjesë e skuadrës.
Mendoj se mund të jetë gati përballë Angers, por mund të jetë edhe ndeshja pas saj (kundër Tottenham),” shtoi ai.
“Sa seanca stërvitore i duhen? Kjo varet nga biseda që do të kemi, edhe me drejtorin teknik.
Është në mendjen time si t’ia rris ngarkesën, ndoshta me 15-20 minuta në një ndeshje kundër Angers,” tha Hutter.
Ndikimi i Pogbas tashmë ndihet jashtë fushës.
“Ai është tashmë në dhomën e zhveshjes, edhe pse nuk e vesh fanellën. Ka qenë aty në ndeshjet e fundit për të na inkurajuar, duke u dhënë udhëzime lojtarëve të rinj, dhe ata e duan praninë e dikujt që ka fituar gjithçka.”
“Ka fituar gjithçka” mund të jetë pak ekzagjerim, por Pogba është fitues i Kupës së Botës me Francën dhe katër herë kampion i Serie A me Juventusin, pa përmendur Europa League dhe EFL Cup me Manchester United.
Gjithçka u rrëzua në shtator 2023, kur ai u pezullua për katër vjet pas një testi antidoping pozitiv. Megjithatë, pezullimi iu ul në vetëm 18 muaj në tetor të vitit të kaluar. Juventus ndërpreu kontratën e tij në fund të nëntorit.
Ai ka nënshkruar me Monacon për dy vjet dhe ndien se ende ka shumë për të dhënë pas asaj që e quajti “ferr”.
Në një intervistë ekskluzive për “Daily Mail Sport” vitin e kaluar, Pogba tregoi historinë e mënyrës se si mori lajmin se do të mund të luante sërish në vitin 2025.
“Ja një histori qesharake: po provoja një kostum të ri për premierën e një filmi, por nuk e kisha telefonin me vete,” tregoi Pogba.
“Gruaja ime (Zulay) u ngjit me vrap lart me telefonin duke bërtitur, ‘Është avokati.’ I thashë se do ta telefonoja më vonë, por ajo tha se duhej të flisja menjëherë. Kështu që zbrita poshtë me kostumin veshur dhe fola me të! Ai më dha lajmin dhe unë mbeta i heshtur. Të gjithë ishin duke kërcyer nga gëzimi, por unë isha në shok. Ajo lumturi u kthye shpejt në vendosmëri. Kaluam ferr. Një periudhë errësire. Por ky është shansi im i dytë, duhet ta shfrytëzoj. Ishte një ndjenjë e fuqishme.”
(Kosova Sot Online)